Hidhet shorti i Champions-it; finalja e parakohshme, Liverpool-Bayern Munich

17 Dhjetor 2018
13:18
Alfred Lleshi
back button

Sot, në Nyon të Zvicrës, u hodh shorti për raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, ose siç njihet ndryshe, raundi me eliminim direkt. Pas fazës së grupeve, tashmë janë 16 skuadra, që do të vijojnë betejën mes tyre për më të mirin e Europës. Lufta bëhet për kurorën, që e mban në tri sezonet e fundit radhazi Real Madridi. Natyrisht, edhe “Los Blancos” do të tentojnë të mos zbresin nga froni.

Fillimisht, para përfaqësuesve të klubeve është paraqitur procedura e shortit. Skuadrat janë ndarë në dy vazo. Nuk lejoheshin skuadra të së njëjtës federatë (vendi), sepse në këtë raund nuk mund të përballen me njëra-tjetrën. Goglat e shortit kanë përvijuar këto përplasje, ku spikat Liverpool-Bayern Munich, e cila fare mirë mund të konsiderohet një finale e parakohshme:

ATLÉTICO MADRID – JUVENTUS
SCHALKE 04 – MANCHESTER CITY
MANCHESTER UNITED – PSG
TOTTENHAM – BORUSSIA DORTMUND
OLYMPIQUE LYON – BARCELONA
ROMA – PORTO
AJAX – REAL MADRID
LIVERPOOL – BAYERN MÚNICH

Ndeshjet e para të këtij raundi do të luhen në katër ditë; më 12, 13, 19 dhe 20 shkurt; ndërsa ato të kthimit më 5, 6, 12 dhe 13 mars. Ja disa nga stastistikat dhe shifrat e përballjeve në histori mes skuadrave, që do të vendosen kundër njëra-tjetrës edhe në raundin e dytë të Champions-it, këtë edicion.

Liverpool – Bayern Munich
Liverpool është i pamposhtur në tetë ndeshjet e fundit kundër klubeve gjermane (6F, 2B), duke mundur Hoffenheim 2-1 larg dhe 4-2 në shtëpi, në “play-off”-in e sezonit të kaluar. “Reds” nuk kanë humbur kurrë me miqtë e Bundesligës në “Anfield” (12F, 3B).
Trajneri i Liverpool, Jürgen Klopp, ishte në krye të Borussia Dortmundit, e cila u mposht 2-1 nga Bayern Munich në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2013, në “Wembley”.
Liverpool, gjithashtu, mori më të mirën ndaj Bayernit në Kupën Eeropiane, duke fituar gjysmëfinalen (1980-1981), falë golit në fushë kundërshtare (0-0 në shtëpi, 1-1 larg), në rrugën për ta kërkuar trofeun për herë të tretë.
Ndeshja e fundit i Bayernit me Liverpool erdhi në Superkupën Europiane të vitit 2001, në Monako, ku klubi anglez, i cili ishte kualifikuar si fitues i Kupës UEFA, mposhti 3-2 kampionët e Europës, në “Stade Louis II”.

Atlético – Juventus
Ronaldo ka shënuar katër gola në gjashtë ndeshje të Champions-it kundër Atlético (4 F, 1B, 1H) për ish-klubin e tij, Real Madrid, duke përfshirë një “hat-trick” në gjysmëfinalen e sezonit 2016-2017. Ndeshjet e vetme të Atletico dhe Juventus në garën madhore të UEFA-s u luajtën në fazën e grupeve (2014-2015). Në to, spanjollët regjistruan fitoren 1-0 në shtëpi dhe barazim pa gola në Itali.
Arda Turan shënoi golin e vetëm të deshjes, kur skuadrat u takuan në Madrid, në vitin 2014.
Juventusi mundi Valencian 2-0, larg, dhe 1-0 në shtëpi, në fazën e grupeve të këtij edicioni, duke qenë fituese kundër klubeve spanjolle në tri ndeshje, edhe pse në dy Champions-it e fundit u mund nga kundërshtarët e La Liga-s, kundër Real Madridit, në sezonin e kaluar, në çerekfinale, dhe në finale e vitit 2017, në Cardiff.

Ajax – Real Madrid
E fundit nga katër fitoret e Ajax kundër Real Madridit erdhi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve (1995-1996). Flasim për suksesin 2-0 në “Santiago Bernabéu”. Kjo ishte fitorja e katërt e klubit të njohur holandez kundër rivalëve të ngjashëm spanjollë.
Real Madridi i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit kundër Ajax, duke shënuar 20 gola dhe pësuar vetëm 2 të tillë. “Los Blancos” triumfuan 4-1, si në Holandë, edhe Spanjë, në përplasjen më të fundit të këtij kompeticioni, në fazën e grupit (2012-2013).

Schalke – Manchester City
Sané erdhi nga të rinjtë e Schalke 04 dhe bëri 47 paraqitje me ekipin e parë gjerman, duke shënuar edhe 11 gola. Pastaj u transferua te “qytetarët” e Pep Guardiolës, me kërkesën e këtij të fundit.
Manchester City doli fitues 2-0 ndaj Schalke në fazën e grupeve (2008-2009). Klubi anglez, gjithashtu, triumfoi në gjysmëfinalen e Kupës së Kupave të Kupës Europiane (1969-1970), duke fituar 5-2 në total (0-1 larg, 5-1 në shtëpi).

Roma – Porto
Porto u paraqit më mirë se Roma në ndeshjet e sezonit 2016-2017, faza e grupit. Përplasja tjetër mes skuadrave ndodhi në raundin e dytë të Kupës Europiane, sot Champions (1981-1982), kur klubi portugez fitoi 2-0 në ndeshjen e parë dhe me të njëjtin rezultat total.

Lyon -Barcelona
E fundit e gjashtë ndeshjeve të Barcelonës dhe Lyonit erdhi në sezonin fitimtar të klubit spanjoll (2008-2009). Barcelona fitoi 6-3 në total (1-1 në transfertë, 5-2 në shtëpi). Pesë herë fituesit e Champions-it kanë fituar katër prej këtyre gjashtë ndeshjeve, duke barazuar dy të tjerat.
Kjo është ndeshja e parë e Barcelonës me kundërshtarë francezë, që nga përmbysja historike kundër PSG në Champions (2016-2017), në të njëjtin raund. Katalanasit humbën 4-0 në kryeqytetin francez dhe ia dolën të përmbysin gjithçka me triumfin e jashtëzakonshëm 6-1 në “Camp Nou”.

Tottenham – Borussia Dortmund
Tottenham e mundi në shtëpi Dortmundin (3-1) dhe në transfertë (2-1), në fazën e grupeve të sezonit të kaluar. Klubi gjerman, megjithatë, kishte dalë në krye, në raundin e “Europa League” të sezonit 2015-2016, me një fitore në total prej 5-1 (3-0 në shtëpi, 2-1 në transfertë).

Manchester United – PSG
Manchester United nuk ka luajtur kurrë kundër PSG në Champions. PSG ka fituar vetëm një herë në Angli, kur mundën 3-2 Liverpool, në ndeshjen e pare të fazës në grupe të këtij edicioni.
Manchester United ka humbur vetëm dy herë në 26 ndeshjet e tij kundër skuadrave franceze (14F, 10B). Ndërkohë, PSG ka fituar vetëm pesë nga 19 ndeshjet e luajtura me kundërshtarë nga Premier League, edhe pse më i fundit ishte një sukses 2-1 në shtëpi, kundër Liverpool, në ndeshjen e 5-të të këtij Champions-i.
Kujtojmë se Di María u bashkua me PSG nga Manchester United, në vitin 2015.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit