Hidhet shorti i Europianit të koshit, Shqipëria në grup me Serbinë

23 Korrik 2019
14:56
Telesport
back button

Në Mynih (Gjermani) është hedhur shorti i grupeve të fazës eliminatore të Kampionatit Europian të Basketbollit 2021 për femra dhe meshkuj. Në këto eliminatore merr pjesë edhe Shqipëria, me të dyja ekipet kombëtare për të rritur dhe të rritura.

Kombëtarja e femrave është pozicionuar në Grupin E të Eurobasket Women 2021, së bashku me Lituaninë, Turqinë e Serbinë. Sipas Fiba-Europe, ndeshjet e kësaj faze do të luhen në tri periudha të ndryshme kohore: 17-25 shkurt 2020; 23 nëntor-1 dhjetor 2020 dhe 15-23 shkurt 2021.

Një short i vështirë për kombëtaren kuqezi, që me të rriturat nuk fiton prej vitesh. Për më tepër që shorti është shumë i vështirë, me tri skuadra të forta dhe pretendente për t’u kualifikuar më tej.

Shorti i femrave

Kombëtarja e meshkujve ka një rrugëtim më të gjatë për të shkuar në fazën e grupeve. Shqipëria, fillimisht do të luajë fazën para-eliminatore të Europianit. Siç dihet, në gusht, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali do të përballen me Danimarkën e Bjellorusinë.

Kuqezinjtë kanë një javë që kanë nisur përgatitjet për këtë fazë para-eliminatore, ku më tej kualifikohet vetëm skuadra më e mirë. Pra, një mision i vështirë për kombëtaren e meshkujve, që duhet ta mbyllë grupin në vendin e parë.

Në rast se kualifikohet, Shqipëria do të luajë më pas në Grupin C eliminator të Eurobasket 2021, ku janë edhe Republika Çeke, Belgjika dhe Lituania.

Shorti i meshkujve

Lajme të tjera

Lajmet e fundit