Hidhet shorti, ja dy çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë

26 Qershor 2020
11:21
Alfred Lleshi
back button

Mësohen dy çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Shorti i hedhur sot në ambientet e stadiumit “Air Albania” ka vënë përballë Kukësin me Teutën dhe Tiranën me Bylisin. Dy përballje emocionuese, në kërkim të finales dhe fitimit të trofeut të dytë kombëtar për nga rëndësia, i cili shërben edhe për të luajtur në Kupat e Europës. Gjysmëfinalet e para do të luhen më 2 korrik, ndërsa ato të kthimit më 15 korrik. Kukësi dhe Tirana janë pritës në sfidat e para. Finalja është planifikuar më 2 gusht.

Kujtojmë se fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë është Kukësi, që finalen e vitit të kaluar mposhti Tiranën 2-1. Skuadra që e ka fituar më së shumti këtë trofe është ajo bardheblu, 16 herë, e ndjekur nga Partizani me 15 herë dhe Dinamo me 13 herë. Nga gjysmëfinalistët e tjerë të edicionit aktual, Kukësi e ka fituar dy herë kompeticionin në fjalë (2016, 2019), Teuta tri herë (1995, 2000, 2005), ndërsa Bylisi asnjë herë. Mallakstriotët kanë qenë vetëm një herë finalistë, por janë mposhtur nga Laçi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit