Higuaín drejt largimit nga Juve, tre bombera në listë për ta zëvendësuar

3 Prill 2020
12:36
Alfred Lleshi
back button

Gonzalo Higuaín mund të ketë muajt e fundit si lojtar i Juventusit. Sulmuesi argjentinas, sipas raporteve të “Tuttosport”, do të vlerësojë mundësinë e rikthimit te River Plate, duke ndjekur shembullin e Carlos Tevez, direkt nga Torino te Boca Juniors. Klubi bardhezi e mirëpret largimin e “Pipita”, i cili përfiton 13 milionë euro bruto në sezon, por produktin nuk e ka si në të kaluarën, kur erdhi nga Napoli. Këtë sezon, që është ndërprerë prej “Coronavirus”, argjentinasi ka shënuar tetë gola.

Gazeta torineze shton se me largimin e Higuain, bardhezinjtë do të çlirohen jo pak në faturën e pagave, për të kërkuar pastaj një nga sulmuesit më të kërkuar në tregun europian. “Tuttosport” vë në qendër të vëmendjes Harry Kane (Tottenham), Mauro Icardi (PSG), Gabriel Jesus (Manchester City) dhe madje, Ferran Torres (Valencia). Nëse realizohet ky skenar, Higuaín do të kthehej te River Plate pas 13 vitesh. 

Ai debutoi me skuadrën e parë argjentinase në fjalë më 2004 dhe luajti aty deri në vitin 2007. Real Madridi pagoi 12 milionë euro për ta sjellë në Europë, ku tashmë kanë kaluar nga të bardhët, Napoli dhe Juventusi. Këtu llogariten edhe dy huazime, te Milani dhe Chelsea. Argjentinasi ishte golashënuesi më i mirë i sezonit 2015-2016 në Serie A, me 36 gola. Një rekord, që ende mbetet në fuqi në Itali.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit