Historia e kupës së ndyrë 2017: Tirana tani mund t’i kthejë “borxhin” Kukësit

22 Maj 2019
11:11
back button

Para pak ditësh Refik Halili, me një siguri habitëse, deklaronte se Tirana do të fitonte pa probleme ndaj Kastriotit dhe nuk e llogariste fare rivalin direkt për mbijetesë. Një deklaratë që kishte për qëllim që t'u jepte moral bardhebluve në prag të përballjes direkte, por realisht fjalët e presidentit të Tiranës nuk prodhuan asnjë efekt pozitiv, përkundrazi, egërsuan edhe më shumë lojtarët e Kastriotit.

Tashmë renditja thotë Tirana 41 pikë e Kastrioti 39 pikë, me dy javë të mbetura. Situatë thuajse identike me atë të para dy viteve, kur Tirana ra nga kategoria, edhe pse kishte në letër një ekip të fortë, ndërroi disa trajnerë dhe fitoi edhe kupën.

Ishte një kupë false, një trofe i dhuruar fillimisht nga Kukësi e më pas nga Skënderbeu, që shkelën me të dyja këmbët parimet e lojës së ndershme, por jemi në Shqipëri, nderi është fjalë e pistë.

Në shkurt 2017 Tirana as që e mendonte se do rrezikonte mbijetesën, ndaj Refik Halili kishte vënë në shënjestër kupën, që do të ishte një mënyrë e bukur për të maskuar dështimin e sezonit, por edhe për të arkëtuar miliona, ato nga FSHF për trofeun dhe nga UEFA për pjesëmarrjen në Europa League. Borxhet e klubit bardheblu ishin pa fund dhe duhej një frymëmarrje.

Shorti i kupës e vendosi përballë Tiranën me Kukësin, në gjysmëfinale. Ishte një Kukës i pathyeshëm, sepse me Ernest Gjokën në drejtim po shkonte drejt titullit pa humbur asnjë ndeshje, ndaj natyrisht përballja me Tiranën e dobët në kupë i shihte verilindorët dukshëm favoritë.

Megjithatë, në kupë shpesh nuk luhet fare në fushë dhe ashtu ndodhi edhe në atë Tirana-Kukësi: Tirana fitoi 2-1, me Kukësin që praktikisht e dhuroi ndeshjen, ndërsa gjithçka u kuptua jo vetëm në sfidën e 1 shkurtit, por edhe 10 ditë më vonë, kur Kukësi fitoi 2-1 në kryeqytet për kampionat, me Tiranën që "hapi shalët".

Në të vërtetë, nderin në atë mes e bëri Kukësi, sepse Safet Gjici nuk kishte ndërmend të lëshonte në asnjë front. Gjithsesi, presidenti i Kukësit mori shumë telefonata, edhe nga deputetë, kryebashkiakë e "të fortë" të Shqipërisë, që donin që Gjici t'i bënte një nder Tiranës dhe të merrte në këmbim pikët në kampionat. Të paktën mediat denoncuan gjithçka, edhe pse FSHF e kishte dhënë bekimin për skenat qesharake në mes të Tiranës, fundja nuk ishte hera e parë që në Shqipëri trukohen e tolerohen ndeshjet pa pikë turpi.

Në fund edhe Skënderbeu ia hapi portën Tiranës, që fitoi 3-1 në shtesa në finalen e luajtur në Elbasan, në një atmosferë mortore, ku në fund nuk gëzonte askush dhe ku dorëzimi i trofeut nga zyrtarët e FSHF-së dukej si funerali i Tiranës dhe futbollit shqiptar.

Tani historia përsëritet: Tirana në buzë të varrit, finale kupe kundër Kukësit dhe Refik Halili që premton prej javësh se kupa do jetë një ngushëllim fantastik.

Problemi është se para finales së kupës Tirana luan në Laç dhe nëse humbet aty, praktikisht është në dorë të Teutës (që viziton Kastriotin) dhe Kukësit (që pret Kastriotin javën e fundit).

Një skenar mëse i realizueshëm: Tirana humbet në Laç dhe Kastrioti mund Teutën, Tirana zbret në vendin e parafundit. Çfarë do të ndodhë në javën e fundit, ku Kukësi do të luajë për qejf kundër Kastriotit? 

E lehtë të imagjinohet: Tirana do t'ia ofrojë kupën Kukësit, me kusht që Safet Gjici t'i garantojë rezultat pozitiv të Kukësit ndaj Kastriotit. Jemi në Shqipëri, nëse nuk e bën këtë, Tirana zbret një kategori më poshtë!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit