Historia e pabesueshme e golit “ekspres” të Alaba: Aktivizojeni shpejt, të gjuajë goditjen e lirë

15 Gusht 2022
7:57
Alfred Lleshi
back button

Luka Modric u rrëzua në minutën e 74-t buzë zonës kundërshtare dhe David Alaba shikonte me ankth fushën. Ai ishte jashtë vijave të bardha kufizuese, gati për t’u hedhur në fushë dhe për të zënë vendin e Mendy, në krahun e majtë. Austriaku nuk shkoi në zonën që duhej të mbulonte.

Ai shkoi direkt në vendin ku ishte topi. Foli me Benzema dhe Kroos. Të dy panë të njëjtën gjë që u pa në TV, që sytë e Alaba donin faullin. Faza tjetër e sekuencës ishte vrapimi i austriakut, goditja me këmbën e majtë dhe topi që fluturoi në rrjetë.

A hyri Alaba qëllimisht për ta nisur me goditjen e lirë? E kujt ishte ideja? Vetë Carlo Ancelotti zbuloi në një konferencë shtypi: “Ata që duhej ta gjuanin goditjen e lirë ishin Benzema ose Toni…, por hyri Alaba, i cili ekzekutoi shumë mirë. Davide i tha Mendy dil shpejt (te zëvendësimi), se do ta gjuaj unë goditjen e lirë. Nuk ishte e lehtë, sepse t’i thuash Benzema dhe Toni të mos gjuanin ata…”

Në fakt, ky ishte topi i parë që Alaba preku, diçka e jashtëzakonshme dhe që flet për sigurinë që ka lojtari nga Vjena në goditjet e para. Sepse ai është specialist. Goli në stadiumin “Power Horse” është i dyti që ai nënshkroi me Real Madridin nga një goditje dënimi direkt. I pari ishte në vizitën në Tiraspol, në Champions League, kur i hapi rrugën fitores.

VIDEO (GOLI I ALABA)

Nuk është rastësi që këto goditje janë për të. Sepse David Alaba është specialisti më i mirë që të bardhët kanë për kësi ndeshjesh. Gjatë kohës së tij te Bayerni, austriaku shënoi 10 gola nga gjuajtjet e lira direkte.

Ndër shokët e tij, shifra më e lartë është e Alaba, sepse askush nuk kalon më shumë se një gol nga një goditje dënimi direkte me Real Madridin. Skuadra e bardhë nuk kishte shënuar nga gjuajtja e lirë që nga prilli 2021, ndaj Barcelonës në Valdebebas (2-1 për “Los Blancos”).

Është goli i dytë i Alaba në dy ndeshjet zyrtare, sa ka luajtur me Real Madridin. I pari ishte ai që e vendosi skuadrën e Ancelottit në rrugën drejt Superkupës, duke realizuar për 1-0 kundër Eintracht në Helsinki. Gjithsej janë pesë gola të tij si “madridista”, të gjithë jashtë shtëpisë: “Camp Nou”, Tiraspol, El Sadar, Helsinki dhe Almeria.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit