Hoeness shpërthen ndaj Ter Stegen: Bën sikur ka fituar 17 Kupa Bote

19 Shtator 2019
10:21
Alfred Lleshi
back button

Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, dëshiron që Federata Gjermane e Futbollit (DFB) të konfirmojë mbështetjen e saj për Manuel Neuer, në mes të thirrjeve që ai të zëvendësohet në ekipin kombëtar nga Marc-Andre ter Stegen i Barcelonës. Forma e Ter Stegen në La Liga dhe Champions i ka rritur aksionet e tij në sezonet e fundit, me 27-vjeçarin që konsiderohet gjerësisht ndër portierët më të mirë në botë. Neuer, përkundrazi, është zbehur disi nga kujtesa e shumë tifozëve, pasi dëmtimet afatgjata e mbajtën jashtë fushave. Megjithatë, sipas Hoeness, ky diskutim publik po drejtohet nga “partizanët” e shtypit gjerman.

“Kjo është një shaka, – tha presidenti i Bayernit për “Sport1”. – Unë mendoj se nuk është në rregull shtypi i Munihut, që merret me këtë temë. Shtypi në Gjermaninë perëndimore mbështet ekstremisht Marc-Andrein, sikur të kishte fituar tashmë 17 Kupa Bote. Dhe nuk shoh mbështetje nga shtypi jugor gjerman për Manuel. Nuk është në rregull të sjellësh një temë të tillë për publikun. Ter Stegen ka pretendime të luajë. Për portierët është ndryshe nga lojtarët e tjerë, sepse nuk mund të ndërrohen vazhdimisht”.

Hoeness nuk kurseu me kritika edhe DFB, duke sugjeruar se Bayerni ishte shënjestruar edhe pas Kupës së Botës 2018, kur lojtarët me përvojë, Mats Hummels, Jerome Boateng dhe Thomas Muller, u larguan nga skena ndërkombëtare. Hierarkia duhet të jetë e qartë, ndaj apelon: “Manuel Neuer është numri një, ka qenë portieri më i mirë në botë për shumë vite. Ai u dëmtua për njëfarë kohe, por ishte e qartë se vetëm ai mund të jetë numri një, kur të kthehet në formën e vjetër. Dhe ai ka arritur maksimumin tani.

Do të prisja më shumë mbështetje nga DFB. Ne kemi pasur gjithmonë probleme me federatën, së pari largimi i tre lojtarëve tanë dhe tani e njëjta situatë me Manuel Neuer. Nuk është mirë të lejosh shokun e skuadrës që të flaës në publik për një temë, që duhet ta diskutojë vetëm me Jogi Low”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit