Honda pa pikë pas 40 vitesh, Ducati dominon për konstruktorë, botërorin e udhëheq një Yamaha

20 Qershor 2022
10:45
Telesport
back button

Sezoni 2022 në MotoGP është mjaft interesant deri më tani, teksa gara e fundit e zhvilluar në pistën gjermane të Sachsenring ka dhuruan disa statistika të jashtëzakonshme. Kjo ishte gara e parë që nga viti 1982 që skuadra e Honda nuk merr asnjë pikë në garë. Pra, pas 40 vitesh!!!

Të gjithë pilotët që përdorin motorin Honda ose u rrëzuan (P.Espargaro, Nakagami e A.Marquez) ose përfunduan jashtë zonës së pikëve (Bradl). Një rezultat katastrofik për skuadrën japoneze, ndërkohë që mungesa e një kampioni si Marc Marquez (i operuar) ndihet. Sidomos në këtë pistë, ku ai fitonte prej vitit 2013.

Ky botëror komandohet nga motori Ducati, që ka fituar 5 nga 10 garat e deritanishme (4 vende të dyta dhe një të tretë). Në total, Ducati numëron 221 pikë (të gjitha skuadrat që përdorin motorin italian), ndërsa Yamaha renditet e dyta me 147 pikë dhe Aprilia në vendin e tretë me 126 pikë (KTM 93, Suzuki 80 e Honda 75 pikë).

E megjithatë, renditja për pilotë komandohet nga një pilot i Yamaha, francezi Fabio Quartararo (172 pikë), që është edhe kampion në fuqi. Jo vetëm kaq, por ai ka 34 pikë avantazh ndaj ndjekësit e tij më të afërt (A.Espargaro me Aprilia) dhe 61 pikë avantazh nga një pilot që përdor një motor Ducati (Zarco, i treti me 111 pikë).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit