Hoxha nuk dorëzohet: Partizani duhet të besojë ende te titulli

12 Janar 2022
10:41
Alfred Lleshi
back button

Alban Hoxha nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit të Partizanit. Kapiteni ka pasur një dëmtim në dorë, pastaj si duket nuk e fitoi dot më vendin e titullarit karshi Teqja-s. Me ndryshimin e trajnerit, duket se do të ndodhë edhe rokada në portë. Duke folur për mediat, Hoxha u shpreh në prag të sfidës së javës së 16-të me Egnatian, e cila do të startojë në “Arena Egnatia”, prej orës 13:45:

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, por, siç thotë një shprehje, fillimi i mirë, gjysma e punës. Po fituam, mund të marrë për mirë ky vit dhe sezoni. Gjithmonë kam qenë optimist, kam besuar te kthesa dhe ndryshimi. Shoh optimizëm te skuadra, besoj se do të ecim mirë.

Mehmeti në stol? E njoh trajnerin, është korrekt dhe kemi marrëdhënie të mira. Mund të kthejë harmoninë në grup. Ekipi ka qenë, por në disa raste kishim oshilacione dhe besoj se jemi përforcuar. Grupi është, pse të mos besojmë”.

“Aldon e kam shok prej shumë vitesh dhe nuk jam xheloz. Më është bërë qejfi që ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, ka të dhëna goxha premtuese si portier. Do të jemi të dy aty dhe do të luajë ai për të cilin ka nevojë ekipi. Të mos harrojmë që kemi edhe një portier të tretë shumë të mirë”.

I pyetur për merkaton dimërore dhe objektivat e këtij sezoni, kapiteni shtoi: “Objektivat e Partizanit kanë ndryshuar. Është ndryshuar stafi, kanë ardhur lojtarë të rinj, siç është Bitri, do të vijnë të tjerë. Objektivi i parë është pjesëmarrja më Kupat e Evropës, por ka ende shumë javë kampionati, pse të mos mendojmë edhe për titullin.

Nuk kemi bërë keq, por fati ka qenë kundër nesh. Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por na mungojnë pikët. Gjatë pjesës së mbetur të kampionatit, përveç lojës bindëse na duhen pikët. Duhet të mendojmë më shumë për pikët sesa për lojën e bukur”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit