Hyn në fuqi ligji i ri për dhunën në stadiume, ja dënimet që rrezikohen!

9 Tetor 2019
17:59

Aktet e dhunës në stadiumet në Shqipëri ishin bërë të shpeshta dhe së fundmi ka hyrë në fuqi ligji i ri, ku do të ketë dënime edhe për mbajtësit e mjeteve piroteknike, që rrezikojnë të dënohen me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet.
Shfaqjet e dhunës në stadium u panë edhe në derbin e luajtur vetëm pak kohë më parë mes Tiranës dhe Partizanit, ku tifozeritë e të dyja ekipeve u përplasën mes njëra-tjetrës, pasi kishin kaluar rrethimin e fushës në stadiumin “Selman Stermasi”.

Neni 274/a

Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv

Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 274/b

Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive

Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit