Hyrje në “autostradën” historike “Rrugëtimi shekullor i Tomorit” 

22 Nëntor 2021
12:47
Alfred Lleshi
back button

Me rastin e 98-vjetorit të themelimit të FK “Tomori” (25 nëntor 2021), gazetari sportiv Agron Kaja i ka bërë dhuratë qytetarisë e tifozerisë beratase një libër historik të titulluar “Rrugëtimi shekullor i Tomorit”. Ky libër për historinë e futbollit të Tomorit nuk është i pari për tifozerinë e qytetarinë beratase, natyrisht që nuk do të jetë as edhe i fundit. Por FK “Tomori” tashmë do ta ketë një “libër të artë” me histori, kujtime, mbresa e bilance të futbollit të tij shekullor, për të qenë ai i gjallë edhe 100 vjetët pasardhës, pse jo edhe më gjatë.

Natyrisht që ky duhet të jetë një libër që hyn në ciklin e trashëgimisë sportive shekullore në futbollin beratas, ndaj ky rrugëtim shekullor duket se nuk është sipërfaqësor. Sepse për çdo periudhë të tij u referohet protagonistëve të shumtë në të gjitha periudhat, njëherësh edhe kujtimeve të ndryshme nga personazhe të fushës së futbollit, të bankinave e zyrave drejtuese të topkëmbës beratase, të arbitrave dhe të tifozerisë të veçantë që skuadra e “Tomorit” ka pasur dhe ka fatin ta ketë pranë në çdo situatë.

Është titulluar ky libër “Rrugëtimi shekullor i Tomorit” për ta sjellë sa më pranë historinë, si një rrugë që duhet ta mbajë lexuesin dhe përjetuesit e saj në emocionet që të sjell kjo lojë magjike. Duke ditur se beratasit kanë ndjeshmëri të madhe për futbollin, për të luajtur e për ta ndjekur, ky titull duhet të mbetet edhe si një trase e shtruar për dekada e shekuj të tjerë.

Të dhënat kryesore për përgatitjen e këtij libri (kryesisht pas vitit 1980), janë pjesë e shënimeve në karrierën e tij si komentator e gazetar sportiv, ndërsa periudha para këtij viti është nxjerrë nga arkivat e FSHF-së dhe nga të dhënat e gazetarit sportiv italian Giovanni Armillotta (deri në sezonin 2008–2009). Por  mbështetje (kryesisht në foto) është bërë edhe libri i gazetarit sportiv beratas Vlashi Pambuku “Enciklopedia sportive e qytetit tim”.

Të gjithë dashamirësit e FK “Tomori” do të gjejnë në këtë rrugëtim sportiv gjithçka që ka kaluar futbolli beratas: ndryshimet, arritjet, sukseset e dështimet e shënuara në këtë hapësirë sportive shekullore në aktivitete të shumta futbollistike. Njëherësh do të njihen edhe me ata që i dhanë jetë kësaj historie brez pas brezi. Të dhëna të shumta për këtë libër janë mbledhur edhe nga deklaratat e protagonistëve të ndryshëm, që e kanë përjetuar e shkruar këtë histori, ata që kanë qenë në aktivitet apo edhe si tifozë të kësaj skuadre, të cilët kanë gjetur vend në çdo sezon ku ka luajtur skuadra e “Tomorit’. Më pas arkivat e gazetarisë sportive si dhe dorëshkrimet e shumta janë bërë dëshmitarët e tjerë të historisë njëshekullore të futbollit beratas, të cilën në këtë libër autori vetëm sa e cek në pafundësinë e saj të madhe.

Në këtë rrugëtim lexuesi do të njihet me emrat që janë përdorur nga skuadra beratase në kampionate e kupa që pas krijimit të FK “Tomori”  në 25 nëntor të vitit 1923, ku pas emrave “Muzaka” dhe “Puna Berat”, emri “Tomori” është më jetëgjati dhe më kuptimplotë dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 1957. Ndërkohë që pas krijimit të tij e deri më sot, “Tomori” ka pasur edhe stemën e flamurin e tij, por pas vitit 1990 pësuan ndryshime, të imponuara edhe nga vetë ndryshimet politike në vendin tonë. Dhe në këtë rrugëtim lexuesi do të njihet edhe me të shkuarën e realitetin zyrtar të stemës e flamurit sportiv që FK “Tomori” ka përdorur në historinë e tij shekullore.

Gjithsesi, në këto faqe libri nuk përjashtohet se mund të ketë edhe ndonjë mangësi në emra e ndeshje të veçanta, por që nuk do ta cenojnë aspak vlerën historike që ky libër i sjell qytetarisë beratase e në veçanti tifozëve të skuadrës së “Tomorit”. “Historia flet nëse do të dimë ta shkruajmë atë brez pas brezi”, e kjo thënie mirëkuptuese merr jetë në në këtë rrugëtim.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit