Hysaj drejt Atletico Madrid, media spanjolle zbulon kontaktet nga viti 2016

8 Qershor 2019
12:35
Alfred Lleshi
back button

Elseid Hysaj është një nga objektivat e Atletico Madridit për rolin e mbrojtësit të djathtë. Këtë gjë e konfirmon sot edhe spanjollja “AS’, pas medieve italiane. Mbrojtësi 25-vjeçar shqiptar shikohet si një mundësi e mirë nga Diego Simeone. Në orët e fundit, nga Italia u theksua se Napoli, që ka kartonin e futbollistit tonë kuqezi, e ka hedhur poshtë një ofertë dyshifrore për të, por ajo që konfirmohet nga Madridi janë vetëm bisedimet, pa hyrë në detaje financiare. 

Klauzola e Hysajt është 50 milionë euro, por, sipas “AS”, çmimi fillestar i nisjes së bisedimeve nga Napoli është sa gjysma e tyre, 25 milionë euro. Megjithatë, Atletico Madrid beson se ajo shumë mund të reduktohet, duke pasur parasysh dëshirën e njoftuar publikisht nga shqiptari për ta lënë Napolin. Interesi i “Rojiblanco” për Hysajn nuk është i ri. Andrea Berta, drejtori sportiv, e ka kërkuar shqiptarin edhe sezonin e kaluar, por përfundoi duke zgjedhur Arias. Profili i Hysajt është disi i ndryshëm nga kolumbiani. 

Shqiptari ofron më shumë garanci mbrojtëse, por, gjithashtu, shton fuqinë dhe thellësinë e sulmit. Përveç kësaj, ai mund të luajë në krahun e majtë. Një mbrojtës solid, i cili ka përvojë të rëndësishme në CV e tij. Andrea Berta, gjithashtu, kërkoi një mbrojtës të djathtë në Itali, në vitin 2016 dhe piketoi Hysajn. Pastaj, ai zgjodhi Vrsaljko, i cili luante me modestët e Sassuolo, ku ende nuk e kishte dëgjuar melodinë e Champions-it. 

Hysaj, në anën tjetër, është mësuar me presionin e të luajturit për objektiva të mëdha te Napoli. Ai ka luajtur 29 ndeshje europiane në rang klubi, 18 prej të cilave në Ligën e Kampionëve. 279 ndeshje në Serie A e kanë bërë mjaft të fortë edhe mentalisht. Ai e di mirë se çfarë është presioni, sepse për këtë është “farkëtuar” te Napoli, me të cilin ka luajtur 170 ndeshje. Juventusi është një tjetër nga ekipet e interesuara për shërbimet e shqiptarit, por mundësia e ndryshimit të kampionatit, fillimi i një aventure të re, në La Liga (Spanjë), pas nëntë viteve në futbollin italian, e josh së tepërmi.

Napoli priste një “ankand” për të, por lojtari donte të sqaronte pozicionin e vet, duke folur nga grumbullimi me kombëtaren shqiptare: koha në “San Paolo” ka përfunduar. Ai pret një fillim të ri, diku tjetër. Në fakt, Ancelotti ka siguruar tashmë një zëvendësues. Pak ditë më parë, Napoli njoftoi zyrtarisht marrjen e Di Lorenzo, një lojtar nga Empoli.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit