Hysaj nuk fshihet: Shkojmë për të fituar ndaj Hungarisë, i kemi mundësitë

7 Tetor 2021
14:36
Alfred Lleshi
back button

Dy ditë përpara sfidës kualifikuese ndaj Hungarisë, në transfertë, kanë dalë në konferencë për mediat Elseid Hysaj dhe Sokol Cikalleshi. Dy lojtarë kryesorë, nga të cilët pritet shumë. Ata janë ndalur te ballafaqimi delikat në stadiumin “Puskas Arena”, ku do të mungojnë tifozët. Shkodrani i Lazio nuk u fsheh fare, deklaroi se do të luajnë vetëm për fitore.

A jeni gati për ndeshjen ndaj Hungarisë?
Skuadra është e gatshme për këtë ndeshje. Siç e keni parë, edhe në ndeshjet e kaluara kemi luajtur shumë mirë. E kemi analizuar ndeshjen e kaluar me trajnerin dhe jemi duke e përgatitur këtë transfertë në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Besoj se jemi gati.

Po mbrojtja?
Me Poloninë kemi gabuar ne, e kemi thënë edhe kur mbaroi ndeshja, në disa raste. Por kemi studiuar Hungarinë, sepse është një ndeshje e rëndësishme. Po nuk fituam më 9 tetor, me Poloninë do të jetë pak më ndryshe. Ne duhet të shkojmë tani në Hungari, ta fitojmë ndeshjen atje dhe pastaj të mendojmë për Poloninë, se si duhet të përballemi.

Me sa pikë do të jeni të kënaqur në këto dy ndeshje?
6 pikë, ne shkojmë për 6 pikë. Me gjithë këta lojtarë që kemi në grup, shkojmë me moral shumë të lartë. Duam t’i fitojmë të dyja ndeshjet, sepse i kemi mundësitë. Duhet të besojmë te vetja jonë.

Hysaj ndaj Hungarisë…
Shpresoj që të jap maksimumin, mos të bëj gabime, pse jo edhe ndonjë gol, ose asist për Cikalleshin apo sulmuesin që do ta shënojë golin.

A keni presion për të fituar me Hungarinë?
Unë besoj se nuk do të jetë presion, por shpresoj që çunat ta marrin sa më vështirë këtë ndeshje, sepse me të vërtetë është e rëndësishme për ne. Të jemi të përqëndruar, të japim maksimumin dhe të dalim më tri pikët.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit