Hysaj pranë lamtumirës, Chelsea dhe Atletico Madrid e gjurmojnë

9 Janar 2019
20:36
back button

Referuar asaj që raporton media italiane “Sky Sport” është zhvilluar pasditen e të mërkurës takimi në qendrën sportive të Castelvolturno, ndërmjet Mario Giuffredi, menaxher i mbrojtësit shqiptar që luan te Napoli dhe drejtuesve të lartë të klubit napolitan. Një takim që sikurse pritej, ka patur në qendër të vëmendjes të ardhmen e futbollistit të përfaqësueses së Shqipërisë.

Në orët e fundit janë rikthyer në aktualitet aludimet e merkatos mbi një lamtumirë të mundshme të Hysajt, i cili është nën kontratë me Napolin deri në qershor të vitit 2021 dhe i blinduar me një klauzolë largimi të salduar në shumën 50 milionë euro. Ndërkohë mbrojtësi i djathtë, tashmë jo më pjesë e preferencave dhe planeve të trajnerit Ancelotti, nuk është më i kënaqur me pozitat e lëkundura.

Pasardhësi i Maurizio Sarrit e konsideron të barabartë ndaj Maksimovic dhe Malcuit, duke bërë disa herë rotacion, për rrjedhojë duke minimizuar terrenin për Hysajn në raport me dy sezonet e mëparshme të shqiptarit te Napolit. Ndaj, nuk është rastësi që mes klubeve të interesuar për futbollistin shqiptar të Napolit është pikërisht Chelsea që tashmë udhëhiqet nga Sarri. 

Drejtuesit e Napolit deri pak kohë më parë kanë refuzuar, duke thënë se ofertat do të pranoheshin vetëm me dëshirën e futbollistit për tu larguar, dhe nëse do të përmbushnin kërkesat ekonomike të klubit. Por jo vetëm Chelsea, pasi në përgjim të shqiptarit është vënë edhe Atletico Madrid.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit