I jep gji fëmijës gjatë ndeshjes, basketbollistja habitet nga fama dhe kthehet në ikonë

4 Mars 2021
10:08
Telesport
back button

Basketbollistja argjentinase Antonella Gonzalez krejt papritur është bërë e famshme në të gjithë botën. Ka mjaftuar një foto e saj, teksa i jepte gji vajzës së saj 11 muajshe në pushimin e një ndeshje basketbolli për ta kthyer atë në një ikonë të nënës shembullore, që përveç punës kujdeset edhe për fëmijën e saj.

Gjithçka nisi gjatë fundjavës së kaluar, në ndeshjen e basketbollit mes skuadrës së saj Rocamera dhe Velez, fituar prej ekipit vendës 61-44. Në pushimin e ndeshjes, Gonzalez, një nga basketbollistet më të respektuara në Argjentinë, ku luan prej më shumë se 10 vitesh, nuk ka shkuar në dhomat e zhveshjes por i ka dhënë gji vajzës së saj, Madeleine, 11 muajshe.

Fotoja e shkrepur rastësisht është bërë virale në rrjetet sociale. “Nuk e kuptoja këtë që po ndodh, gjithë këtë zhurmë. Kam parë në pak ditë komente e lajme nga më të ndryshmet. Madje edhe jashtë Argjentinës. Për mua kjo është një gjë normale. Këtë gjë ka bërë edhe nëna ime dikur, që gjithashtu ka qenë basketbolliste”, tha Antonella Gonzalez.

Në këtë ndeshje, ajo ndihmoi ekipin të fitonte, duke realizuar 8 pikë, 2 rebound e 3 rikuperime në 25 minuta lojë. “Zakonisht i jap gji fëmijës tim para ndeshjes, por këtë herë ndodhi që ta ushqeja në mesin e saj”, tha Gonzalez. Klubi i ka vënë në dispozicion një asistente basketbollistes në takimet që luhen jashtë fushe për t’u kujdesur për vajzën gjatë ndeshjes.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit