I shitur ose i djegur, pasuesi i Hysaj kërkon shtëpi në Napoli

5 Maj 2019
15:00
back button

E ardhmja e Elseid Hysaj këtë fund sezoni është kthyer në telenovelë të vërtetë. Mbrojtësi shkodran nuk konsiderohet titullar nga trajneri Carlo Ancelotti, për këtë Napoli ka filluar kontaktet e para me Kieran Trippier të Tottenham.

Mbrojtësi anglez luan pikërisht në të njëjtin rol si Hysaj dhe ka shprehur vullnetin për t’u larguar nga “Spurs” për mungesë hapësire.

Klubi anglez kërkon 35 milionë euro, presidenti De Laurenttis është paraqitur me një ofertë fillestare prej 18 milionë euro sipas “Calciomercato”. Gjithsesi ky është vetëm fillimi i negocimit sepse të dy klubet pritet të gjejnë një shumë të mesme. Ndërkohë që do të konsiderohet edhe paga e 28-vjeçarit që aktualisht merr 3.5 mln euro në sezon.

Gruaja e tij është parë në Napoli para pak ditësh. Një sinjal tepër i rëndësishëm, sepse bashkëshortja e futbollistit anglez ka dalë duke parë qytetin, ka kërkuar një shtëpi ku mund të jetojnë dhe është interesuar për shkollën e fëmijëve të tyre.

Situata për Hysaj duket e qartë tashmë. Me mbërritjen e Trippier ai do jetë një lojtar stoli, që do të kërkojë të shitet në merkaton e verës, këtë e ka konfirmuar edhe agjenti i tij, Guiffredi. Ndërsa skenari më i keq është që Napoli të refuzojë ofertat në drejtim të tij dhe mbrojtësi shqiptar të mbetet në stol edhe për sezonin e ardhshëm, teksa kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2021.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit