I tërbuar nga derbi i kuq, Halili kërcënon fajtorët

29 Shtator 2019
22:51
back button

Disfata në derbi ndaj Partizanit ka rikthyer Halilin e vjetër, atë emocional e të deklaratave kontradiktore e njëkohësisht bombastike. Plot paralajmërime, por nga ato kërcënime që nuk gjenin kurrë zbatim. I dërrmuar nga humbja 1-2 ndaj “Të Kuqve”, kryeaksioneri i Tiranës, Refik Halili ka drejtuar gishtin nga fajtorët, të etiketuar sipas tij me termin “Drejtues”, kur më i madhi prej tyre është pikërisht vetë ai… të lënë anonim nominalisht, sikurse dhe disa futbollistë, nga ata që luajtën në derbi, por që duket se i pret e ardhmja në ekipin B të bardhebluve.

“Loja ishte në favor të Partizanit dhe rezultati vendos gjithçka. Ata e merituan fitoren dhe i uroj suksese. Duhet të flasin specialistët dhe trajneri për atë se çfarë i mungoi Tiranës. Për mua ishte ndeshje shumë e rëndësishme. Tani duhet të vazhdojmë kampionatin sepse është i gjatë dhe ne kemi folur shumë shpejt për objektivat”.

“Ishte një ndeshje që jo vetëm shpresonim por edhe kisha bindjen që do ta fitonim. Ja që fati nuk ishte me ne dhe ndeshjen e fitoi Partizani. Të shohim tani kur të luhet ndeshja tjetër. Do t’i marrim gjërat me qetësi. Do të flas me skuadrën dhe stafin nga nesër për të gjetur zgjidhje, për të gjetur edhe të metat”.

“A rrezikon trajneri? Çfarë nuk bën vaki, të gjitha i kemi në tavolinë. Zgjidhja është qetësia, të vazhdojmë të bëjmë më të mirën. Nuk kemi pse të nxitohemi dhe të bëjmë zhurmë. Jemi të gjithë aty me pikë. Të shikojmë çfarë do bëjmë në të ardhme. Keqardhje për të gjithë tifozët dhe për njerëzit që punojnë shumë, por ka dhe nga ata që nuk dinë ta bëjnë punën mire”. 

“Do të shikojmë se çfarë do bëjmë në të ardhmen. Ta themi nesër për kë është ky mesazhi. Skuadra ka brumë, ka lojtarë goxha të mire dhe kam besim se ata do bëjnë më të mirën në të ardhmen. Duhet t’i marrin gjërat shtruar. Do shikojmë te drejtuesit, aty e kemi problemin. Do marrim masa për më të mirën. Do të ketë lojtarë që do luajnë te ekipi B dhe nuk do luajnë kurrë tek ekipi i parë siç luajtën sot”, paralajmëroi Refik Halili.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit