I “vjedh” ekskluzivitetin Real-it, Barcelona prezanton më të mirin e 2018

15 Korrik 2019
21:25
back button

Afrim i ri në kampin e Barcelonës. Drejtuesit blaugrana, përmes një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të klubit, kanë njoftuar mbërritjen nga Kashima Antlers të futbollistit japonez, Hiroki Abe. Sulmuesi i datëlindjes së vitit 1999 është nominuar si futbollisti i ri më i mirë i vitit 2018 në J-League.

Futbollisti japonez transferohet te Barcelona me titull përfundimtar, për një shifër prej 1.1 milionë euro dhe do të ketë një klauzolë transferimi të fiksuar në shumën 40 milionë euro si lojtar i Barça B, e cila do të rritet në 100 milionë euro, në rast se Hiroki Abe do të bëhet pjesë e ekipit të parë katalanas. Një kontratë 4-vjeçare për futbollistin që mund të aktivizohet në të dy krahët.

Pasi ka veshur fanellën e vendit të tij me përfaqësueset e U-19 dhe U-21, sulmuesi 20-vjeçar Hiroki Abe ka debutuar me kombëtare e madhe të Japonisë në ndeshjen kundër Kilit, gjatë përballjes në Kupën e Amerikës, me Japoninë që ishte e ftuar nderi.

Një lëvizje kjo e Barcelonës, që më shumë se për të përforcuar skuadrën, duket si një kundërpërgjigje direkte ndaj rivalit historik, Real Madrid, që pak kohë më parë zyrtarizoi nënshkrimin me futbollistin japonez, Takefusa Kubo.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit