I zhgënjyer nga Federata e qeveria, atleti David Nikolli braktis kombëtaren kuqezi

3 Mars 2021
10:09
Gentian Spiri

Pak ditë para fillimit të Kampionatit Europian të Atletikës për sallat e mbyllura (Poloni, 5-7 mars), atletika shqiptare është tronditur nga lajmi i largimit nga ekipi kombëtar i atletit David Nikolli. Ai është kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në distancën 1500 metra, një prej atletëve që ka përfaqësuar e nderuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare vitet e fundit.

Nikolli, 26 vjeç, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare “Facebook”, ai zbulon arsyet e largimit nga kombëtarja kuqezi, duke akuzuar Federatën e Atletikës dhe institucionet shqiptare për neglizhencë ndaj tij. Ai garon dhe jeton në Itali me ekipin e “New Balance”.

Kam dhënë dorëhqejen nga përfaqësimi i Shqipërisë në çdo lloj gare. Duke nisur nga Europiani e pas disa ditëve. Në këto 3 vite sport kam përfaqësuar Shqipërinë 6 herë dhe kam sjellë 5 medalje ballkanike. Kam realizuar 7 rekorde kombëtare, duke i përmirësuar 18 herë”, shkruan Nikolli,

Jam kampion i Italisë për klube, vendi i dytë po për klube si dhe vendi i tretë në kampionatin italian. Është hera e parë që Shqipëria ka një atlet në vrapim që është pretendent për arritje në Europian dhe pretendent për kapjen e normës së Lojërave Olimpike të Tokios që zhvillohen këtë vit”, vijon atleti shqiptar.

Duhet respekt për djersën dhe mundin që derdhin sportistët, për arritjet që ata kanë dhe të respektohen të drejtat e tyre. Federata dhe institucionet e sportit nuk përdoren si pronë private nga disa persona që nuk kanë lidhje me sportin. Pas disa zhgënjimeve të herë pas hershme detyrohem të them stop”, përfundon David Nikolli deklaratën e tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit