Ibra dhe Mandzukic në shënjestrën e Milanit, Piatek mund të largohet

16 Nëntor 2019
9:40
Alfred Lleshi
back button

Protagonisti i një pjese të parë kryesisht zhgënjyese të sezonit, Milani mund të jetë një nga klubet më aktivë në merkaton e dimrit. Drejtuesit kuqezinj janë në kërkim të atyre elementëve, që mund ta përforcojnë grupin në dispozicion të trajnerit Stefano Pioli dhe të jenë “injeksion” i rëndësishëm karizme e përvoje brenda dhomës së zhveshjes. Sipas “Corriere della Sera”, për të rregulluar shënimin e golave, Milani ka fokusuar Zlatan Ibrahimovic. Asi suedez tashmë ka njoftuar lamtumirën nga LA Galaxy dhe për këtë arsye do të ketë të drejtë transferimi falas.

Duke kapërcyer shqetësimet fillestare të Gadzidis, i cili do të donte të vazhdonte në linjën e të rinjve, Maldini dhe Boban po bëhen gjithnjë e më të bindur për faktin se Ibra mund të jetë njeriu me karakteristikat e duhura për ekipin dhe grupin milanez. Ibrahimovic, i cili i pëlqen edhe Bologna, përkundër 38 viteve të tij mbi supe mund të sillte një dozë të madhe entuziasmi në një skuadër, që padyshim nuk është e kënaqur me situatën aktuale. Flitet se mund t’i ofrohet një kontratë 18-muajore. 

Megjithatë, ai i kampionit suedez nuk është profili i vetëm, që ndiqet nga kuqezinjtë. Mino Raiola tashmë ka propozuar Moise Kean, i cili nuk ka bërë “hajër” tek Evertoni. Po ashtu, në listë mund të jetë edhe Mario Mandzukic, një tjetër golashënues i vërtetë. Sulmuesi kroat, i cili me siguri do të largohet nga Torino, gëzon vlerësimin e bashkatdhetarit Boban, por për momentin duket se nuk është shumë i prirur të pranojë Milanin. Pasi refuzoi transferimet në Katar dhe Kinë, ai shpreson të fillojë një aventurë të re në Premier League.

Nevoja e klubit kuqezi për t’i lëvizur gjërat në sulm diktohet nga problemet e mëdha të shënimit, që po hasin Piatek dhe Leao. Sulmuesi polak, zbulim i shkëlqyeshëm i sezonit të kaluar, duket se tashmë është larg futbollistit të admiruar deri para disa muajsh. Sipas raportimeve nga “Gazzetta dello Sport”, nëse në pesë ndeshjet e ardhshme nuk tregon shenja rikuperimi, për të mund të hapen dyert e huazimit. Milani dëshiron të shmangë humbjet e kapitalit, ndaj shpreson që Piatek të rivalorizohet përfundimisht diku tjetër. Ndër destinacionet e mundshme shihet Genoa, ku shpërtheu bomber polak. Skuadra liguriane ka nevojë për përforcime në sulm, por shumë do të varet nga vullneti i lojtarit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit