Ibra zbarkon sot në Milano, ja kur pritet rikthimi i tij në ndeshje

3 Qershor 2020
8:59
Alfred Lleshi

Ai nuk e ndaloi stërvitjen në Suedi gjatë javëve që përkonin me ndalesën e imponuar të Serie A nga “Coronavirus”. Pra, ishte plotësisht gati për rifillimin e kampionatit, por me kthimin në Itali, Zlatan Ibrahimoviç pësoi një dëmtim në pulpën e këmbës. Kampioni kuqezi, më 25 maj, gjatë një seance stërvitore në Milano, pësoi një dëmtim, që në fillim shkaktoi frikë për pasoja të rënda. Testet, të cilave iu nënshtrua më pas, zbuluan një dëmtim të muskujve vetëm në pulpën e këmbës së djathtë, duke përjashtuar problemet e tendinës së Akilit.

Ibra më pas u kthye në Suedi për t’u ribashkuar me familjen dhe për të kaluar një periudhë së bashku me të dashurit e tij. Tani për të, pas disa ditësh pushimi, ka ardhur koha për të fluturuar përsëri drejt Italisë. Siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, në të vërtetë, suedezi pritet të zbarkojë sot në Milano. Në orët e ardhshme do të kryejë teste kontrolli për lëndimin e sipërcituar. 38-vjeçari do të kthehet nga Stokholmi dhe do t’iu nënshtrohet menjëherë testeve, në mënyrë që të sqarohet saktë koha e rikuperimit.

Së pari kontrolli në pulpën e këmbës, pastaj rezonanca. Në bazë të rezultatit do të vendoset nëse sulmuesi duhet të kthehet përsëri në Suedi apo do ta vazhdojë riaftësimin në Milano. Sipas “Corriere dello Sport”, synimi i suedezit është kthimi në fushë rreth datës 7 korrik, kur Milani do të presë Juventusin, ose më së vonë, më 12 korrik, kundër Napolit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit