Idrizi në sulm: “Bashkia më detyrohet gjysmë milioni euro, po më mashtrojnë prej 5 vitesh”

14 Janar 2019
10:16
back button

Flamurtari, janari, pagat dhe privatizimi: të gjitha së bashku ndoshta nuk do të bëhen kurrë, sepse edhe këtë vit në klubin vlonjat ka vonesa të theksuara në paga, edhe këtë vit Sinan Idrizi ankohet se po bllokohet procesi i privatizimit të një klubi me histori të madhe, por me aktualitet trishtues.

Administratori i klubit kuqezi ka folur të dielën në mbrëmje në "Zona Gol" në Supersport, ku ka prekur çështjen e pagave, "arratinë" e Danilo Alves në Brazil dhe natyrisht dështimin e procesit të privatizimit, peng i politikës.

PRIVATIZIMI DHE BASHKIA – "Klubi nuk është në udhëkryq, të paktën edhe për këtë vit. Godoja i famshëm që presim është bërë bajat. Vlerësimi i aksioneve është një përrallë e bukur, është viti i pestë që thuhet. Flasin për privatizimin e stemës dhe jo të aseteve. Kam pesë vite që pres. Do mblidhet Këshilli Bashkiak sërish dhe do fillojë sërish nga fillimi. Këta e shohin Flamurtarin si aset polititik. Bashkia nuk më kthen 470 mijë euro që më detyrohet për shlyerje të borxheve ndaj të tjerëve, ndërsa jep miliona për ekipe fshatrash. Nuk ka kapitalizëm dhe ente publike. Ose ta menaxhojë Këshilli, ose privati. Kjo duhet qartësuar. Le ta mbajnë vetë, ose ta mbajmë ne. Unë kam kërkuar ta mbaj së bashku me kompanitë që përfaqësoj”.

“Unë dua të investoj, por në këtë ekonomi nuk ka rregulla loje. Kushdo vjen do rregulla. Nuk harxhon kush para në këtë ekonomi ku nuk ka logjikë aritmetike. E them shkurt: të tregojnë se ky sektor do bëhet, të bëhet një ekonomi, të paktën një status juridik. Kjo ekonomi duhet të shkojë në shina. Nuk flasim për Sinanin. A do vazhdoj me Flamurtarin nëse bashkia nuk përgjigjet? Do t’i jap fund të drejtës sime për të përdorur idiotësinë.

“Bashkia veç i nxjerr në ankand aksionet, vendos Ministria e Ekonomisë. Dua të investoj në asete, në turizmin e sporteve. Asetet i ka Ministria e Ekonomisë, jo Bashkia. 

KRIZA FINANCIARE – "Ky treg këto anomali ka. U jap paradhënie 30% të pagave lojtarëve, nëse pranojnë këtë, duhen pranuar edhe 1 ose dy paga me vonesë. Të punësuarit nuk duhet ta teprojnë me kërkesat e tyre. 

“Përse nuk kemi shkuar në fazë? Nuk kemi ikur në Turqi për arsye financiare. Po kursejmë 50 mijë euro. 

"Danilo Alves? Kam një kontratë me të, pas pushimeve do jetë menjëherë në Vlorë”. 

“Jam dakord, është një e metë e imja që nuk ka vlonjatë. Është pengu im që nuk bëj dot akademi. Nuk kemi fusha. Ky është dështimi im më i madh. Liçaj nuk është i afruar, është i shtëpisë.

"Premtim për tifozët? Premtimi ynë është vetëm respektimi i fanellës dhe i tifozëve”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit