Kategoria Superiore

Ilir Daja, miku dhe rivali i parë i Ardian Memës!

Ilir Daja, miku dhe rivali i parë i Ardian Memës!

Tirana i dha fund zyrtarisht bashkëpunimit me trajnerin brazilian Ze Maria. Këtë mesditë në ambientet e klubit, presidenti Refik Halili dhe ish-trajneri Ze Maria, dolën së bashku në konferencën për shtyp, për të zyrtarizuar divorcin. Ndonëse presidenti bardhebluve u pyet gjatë konferencës për pasuesin e Ze Marias, ai u shpreh se nesër (të shtunën) do të bëhet zyrtarizimi i trajnerit të ri. Në fakt ky zyrtarizim do të jetë formalitet, pasi gjithçka tashmë është bërë publike.

Trajneri i ri vjen nga brenda familjes bardheblu, prej një dinastie futbolli. Është Ardian Mema, që vetëm pak orë më parë mbante postin e zëvendës trajnerit të Flamurtarit në Vlorë, tashmë do të jetë trajner i Tiranës, ambient të cilin e njeh shumë mirë, pasi është lindur, formuar dhe ka zhvilluar gjithë karrierën e tij si futbollist te skuadra 24 herë kampione e vendit. Po kush është Ardian Mema?!

Telesport sjell një profil të shkurtër për ish-futbollistin dhe më pas trajner dhe zëvendës trajner në disa klube të njohura të vendit. Ardian Mema ka lindur në vitin 1971, është djali i Ali Memës, dhe ky një ish-futbollist i njohur i Tiranës, e njohur dikur me emrin 17 Nëntori. Ardian Mema nisi të luajë futboll me ekipet zinxhir të Tiranës, duke u formuar në rolin e mesfushorit. Në vitin 1989, Mema do të debutonte me ekipin e parë të Tiranës, me të cilin do të zhvillonte një karrierë të gjatë si futbollist profesionist deri në vitin 2003.

Ishte periudha e artë e Tiranës, me të cilën u shpall disa herë Kampion Shqipërie. Sukseset e arritura me Tiranën, e ndihmuan Ardian Memën të bëhet pjesë edhe i ekipit kombëtar të Shqipërisë në vitet 1995-1998, me të cilin luajti në tetë ndeshje të ndryshme.

Pasi la futbollin e luajtur, me shumë tituj e trofe të fituar, Ardian Mema nisi karrierën si trajner, duke asistuar fillimisht te Tirana në vitin 2007, dhe më pas do të bëhej trajner i ekipit kombëtar U-17 për dy vite, në periudhën 2009-2011, ndërsa në 2013 do të drejtonte ekipin e Tiranës B.

Ndërkohë gjatë karrierës së tij ai ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me trajnerin Ilir Daja, me të cilin ka punuar në disa klube të Superligës dhe së fundi te Flamurtari, ku mbante postin e zëvendës trajnerit. Ndërsa tani rikthehet sërish në familje dhe për ironi të fatit, besojeni apo jo, ndeshja e parë si trajner i Tiranës për Ardian Memën, do të jetë pikërisht Flamurtari i Ilir Dajës, miku dhe rivali i tij i parë si trajner i bardhebluve.

Më shumë nga Kategoria Superiore