Immobile: Mua dhe Allegrin na kërkuan në Premier League, por…

11 Gusht 2020
13:56
Alfred Lleshi
back button

36 gola të shënuar në 37 ndeshje të Serie A. “Pajë” e jashtëzakonshme e sezonit të kaluar, çka i ka mundësuar Ciro Immobile të fitojë një vend mes sulmuesve më të mëdhenj në historinë e futbollit italian. Në fakt, për herë të tretë në karrierën e tij, ai u bë golashënuesi më i mirë në Serie A, barazoi rekordin e golave ​​të shënuar në një kampionat të vetëm të vendosur katër vite më parë nga Gonzalo Higuain. Ai fitoi edhe “Këpucën e Artë” europiane.

Kampioni i Lazio, në një intervistë për “Corriere dello Sport”, nuk e fshehu kënaqësinë e tij për fitimin e çmimit të golashënuesit më të mirë europian. “Një arritje e çmendur. Të dal unë përpara Ronaldos dhe Lewandowski, nuk e besoj fort, por ja që është e vërtetë”. Gjatë kampionatit, Immobile i lejoi shokët e skuadrës të ekzekutonin disa penallti. Kjo ndoshta i mohoi atij mundësinë që të rrëmbejë rekordin historik të golashënuesit të Serie A, që mbahej nga Gonzalo Higuain, por kjo nuk i lë asnjë keqardhje:

“Unë bëra atë që duhej. Nëse nuk do të isha sjellur kështu, nuk do të kisha arritur shifrën rekord të golave. Harmonia e dhomës së zhveshjes, ekuilibri i saj mbizotëron mbi pjesën tjetër. Ato janë fije shumë të holla, që nuk duhet të këputen kurrë. Futbolli është një lojë kolektive. Gjatë një sezoni ka shumë momente, në të cilat ju duhen shokët tuaj të skuadrës, pasimi shtesë, topi i shërbyer në pikën e duhur dhe në kohën e duhur. Grupi i mirë ka një efikasitet të shkëlqyeshëm”.

Lazio e ka kultivuar ëndrrën e “Scudetto” për disa muaj, por nuk kanë qenë në gjendje ta realizojë: “Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Para bllokimit kemi qenë vetëm një pikë prapa Juves dhe, mbi të gjitha, mendërisht mjaft mirë. Ne i fitonim ndeshjet para se t’i luanim në planin psikologjik. Pezullimi prej Covid-19 na dëmtoi, situata u menaxhua keq, edhe pse u përpoqëm t’i bënim gjërat sa më mirë që mundëm”. 

Immobile është një nga sulmuesit që mund të pëlqehet shumë në Europë: “Gjatë periudhës, në të cilën flitej për blerjen e mundshme të Newcastle nga një sheik, e telefonuan së andejmi agjentin tim, Alessandro Moggi. Pastaj Premier League nuk e miratoi atë propozim, ose fondi u tërhoq, nuk mbaj mend mirë. Unë e di se ata po kërkonin gjithashtu një trajner italian, Allegri ose Spalletti”.

Emri i Immobile ka qenë i lidhur edhe me atë të Napolit, por në të ardhmen e tij ka vetëm Lazio: “Unë synoj të mbetem te Lazio përgjithmonë. Rinovimi do të jetë 3-vjeçare, kështu që kontrata do të skadojë më 2025, kur të mbush 35 vjeç. Para se të mbërrija te Lazio, kontaktet me Napolin ishin të shpeshta, por për një arsye apo një tjetër nuk arritëm kurrë dakordësi. Napoli është qyteti ku kam lindur, gjithmonë e ndjek atë skuadër me përzemërsi, por ajo që Lazio më ka dhënë dhe po më jep është e paçmueshme”.

Lazio është gati të forcohet me ardhjen e një mesfushori brilant si David Silva: “Lojtar i shkëlqyeshëm dhe me përvojë të madhe, po e presim me krahë hapur. Mezi pres që të vijë, ne jemi tifozë të Lazio më përpara, pastaj lojtarë të saj”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit