Immobile ndaj Lewandowski, dy bomberat kryqëzojnë rrugët në Champions

23 Shkurt 2021
9:06
Alfred Lleshi
back button

Shtatë vite më parë, njëri ishte zëvendësues i tjetrit. Vitin e kaluar, megjithatë, ata u përballën me njëri-tjetrin “kokë më kokë” për të fituar “Këpucën e Artë” në kontinent. Sot, për herë të parë, ata kryqëzojnë shtigjet në Champions, luajnë kundër njëri-tjetrit. Jo hera e parë në karrierën e tyre, por sigurisht kurrë si sonte; Ciro Immobile dhe Robert Lewandowski janë dy pika referimi. Për Lazio dhe Bayern Munich. Numrat e thonë këtë, por jo vetëm.

Dy vite diferencë, por karriera shumë të ndryshme. Në moshën 24 vjeç, polaku arriti finalen e tij të parë të Ligës së Kampionëve me Borussia Dortmund të Jürgen Klopp. Që aty u evidentua si një nga sulmuesit më të mirë të Europës, në nivelin më të lartë të klubeve. Në të njëjtën moshë, Immobile la Gjermaninë dhe Borussia Dortmund me një shije të keqe në gojë, pas një viti zhgënjyes te verdhezinjtë.

Jürgen Klopp e kishte zgjedhur atë personalisht, por padyshim nuk ishte mjedisi i tij. I kthyer në zonën e tij të rehatisë, Immobile ka rifituar besimin, qetësinë, golat. Ndërsa Lewandowski, i etiketuar si tradhtar në Dortmund, zgjodhi Bayern Munich. Polaku la një boshllëk te Borussia, që Immobile nuk ishte në gjendje ta plotësonte. Aubameyang pjesërisht pati sukses, tani Haaland po përpiqet.

Polaku në Bundesliga ka qenë gjithmonë metoda e vlerësimit për çdo sulmues. Vit pas viti, ai ka rritur nivelin. Në mosyhën 31-vjeçare arriti kulmin e vet. Sezonin perfekt, ose pothuajse. 34 gola në Bundesliga, 6 në Kupën e Gjermanisë, 15 në Ligën e Kampionëve. Lojtari më i mirë në rang botëror (The Best FIFA). Në fakt ëndërronte “Topin e Artë”, por i shpëtoi nga duart, kur “France Football” vendosi të mos e jepte prej pandemisë.

Lewandowski në vitin 2020 ka fituar gjithçka që kishte në lojë. Përveç një gjëje, ose më saktë një gjëje tjetër: “Këpuca e Artë”. 34 gola në Bundesliga nuk ishin të mjaftueshëm kundrejt 36 golave të Ciro Immobile në Serie A. Sigurisht, disavantazhi i të pasurit katër ndeshje më pak në dispozicion peshonte rëndë, por sulmuesi i Lazio (i cili e përfundoi kampionatin një muaj më vonë) kurorëzoi një sezon të mahnitshëm, për të dhe për të gjithë ekipin bardhekaltër, me një arritje jashtëzakonisht të merituar. Dhe në faqen e UEFA-s ai foli për ballafaqimin me polakun:

“Te Lewandowski më pëlqen fakti që nuk është kurrë i kënaqur. Çdo vit përpiqet të përmirësojë dhe kapërcejë kufijtë e tij, edhe nëse është tashmë një lojtar i jashtëzakonshëm. Ai është një sulmues i kompletuar. Unë mendoj se është aktualisht qendërsulmuesi më i fortë në botë, kështu që do të duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Ishte e pabesueshme ta mposhtja atë në garën e ‘Këpucës së Artë’.

Sidoqoftë, trofetë mbeten në arkiva, nuk dalin në fushë. Sfida midis “FIFA World Player 2020” dhe “Këpucës së Artë 2020” fillon nga e para. Ciro Immobile kundër Robert Lewandowski, edhe një herë përballë njëri-tjetrit. Ka precedentë mes ekipeve të tyre: Bayern-Dortmund në sezonin 2014/15 dhe ndeshjet e fundit Itali-Poloni në Ligën e Kombeve. Megjithatë, asnjëherë nuk kanë qenë të dy në fushë kundër njëri-tjetrit.

Lewandowski, i cili ka qenë gjithmonë kolonë e fortë në çdo skuadër, ka luajtur dhe shënuar ndaj asaj që ka përfaqësuar Immobile. Nga ana tjetër, Ciro shikonte gjithmonë nga stoli. Megjithëse golat flasin për të. Kjo është arsyeja pse kjo sfidë midis të dyve është e ndryshme. Për shkak se dy pika referimi të ekipeve përkatëse janë në fushë. Dhe nëse “palmares”-at janë thellësisht të ndryshëm, mos e kini mendjen atje. Immobile gjithmonë i ka bërë golat të flasin. Edhe polaku, po ashtu. Sidomos në Ligën e Kampionëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit