Incident turpërues për Champions-in, tifozët e Fenerbahce thirrin në kor emrin e Vladimir Putin kundër Dynamo Kyiv

28 Korrik 2022
8:10
Alfred Lleshi
back button

Disa tifozë duan që Fenerbahce të përjashtohet nga garat e UEFA-s, pasi një pjesë e tyre u shfaq duke brohoritur emrin e presidentit rus Vladimir Putin gjatë një ndeshjeje kualifikuese të Champions League kundër Dynamo Kyiv.

Incidenti i turpshëm ndodhi gjatë ndeshjes së dytë të raundit të dytë kualifikues, në stadiumin “Ulker”, mbrëmjen e së mërkurës. Një pjesë e madhe e tifozëve të Fenerbahçes mund të dëgjohen duke brohoritur emrin e Putinit, pasi mesfushori ukrainas Vitaliy Buyalskyi shënoi për Dynamo.

Buyalskyi bëri një gjest shqiponje me duar, që besohet nga disa se ishte thumbim për rivalët e mëdhenj të Fenerbahçes, Besiktas. Kjo nuk iu pëlqeu tifozëve vendas, të cilët vazhduan të brohoritnin emrin e Putinit, ndërsa dy skuadrat u kthyen në pozicione për rifillimin e lojës.

Një video që tregon fansat me kore të tilla është parë deri më tani pothuajse 4 milionë herë. Klipi provokoi zemërim në internet nga mbështetësit në të gjithë globin. Disa shprehën tërbimin e tyre për korin e turpshëm, ndërsa të tjerë madje kërkuan që Fenerbahce të ndalohej nga garat e UEFA-s.

Një person tha: “Absolutisht e neveritshme. Turp për ty @FENERBAHCE. UEFA, është radha juaj ta mbyllni stadiumin e tyre për një kohë të gjatë!” Siç shtoi dikush tjetër: “Ju lutemi ndaloni Fenerbahçen nga të gjitha garat e UEFA-s. Kjo është e neveritshme, patetike dhe indinjuese”.

Një përdorues i tretë iu përgjigj videos duke thënë: “Ne nuk mund t’i pranojmë këto qëndrime. Fenerbahce duhet të përjashtohet nga të gjitha garat evropiane që do të luajnë këtë vit”.

Një person tjetër u pajtua, duke shtuar: “Mbështetësit e Fenerbahces brohoritën për Putinin në ndeshjen e luajtur sonte. Dënojini ata rëndë. Pezullojini për 5 vite”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit