Insigne: Messi është më i miri në botë, nuk e krahasoj dot me Maradonën

24 Shkurt 2020
13:36
Alfred Lleshi
back button

Në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve midis Napolit dhe Barcelonës, Lorenzo Insigne foli në konferencën për shtyp, si kapiten i bluve italianë, në krah të trajnerit Gattuso. Ai nënvizoi: “Po e presim këtë ndeshje me qetësi. E dimë se do të përballemi me një ekip të shkëlqyeshëm, ndaj duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Barcelona ka Messi dhe shumë kampionë të tjerë. Do të përpiqemi ta kufizojmë argjentinasin dhe të bëjmë një performancë të mirë.

E përsëris, është një lojë e vështirë, por e dimë që Champions ka një specifikë e bukuri tjetër nga kampionati (Serie A), ku nuk po bëjmë shumë mirë. Kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit. Në shtëpi nevojitet të marrim maksimumin. Për këtë duhet të jemi të mirë në mbrojtje dhe sulm. Do të jetë e rëndësishme të shënojmë gola, por mbi të gjitha të mos pësojmë nesër në mbrëmje. 

Do të doja gol nesër në mbrëmje, por në një lojë si kjo jam i lumtur nëse shënon edhe Ospina (portieri)…Aktualisht, Messi është lojtari më i fortë në botë për mua. Nuk dua ta krahasoj atë me Maradonën, sepse për ne napoletanët, Diego është i shenjtë. Zërat që më lidhin mua me Barcelonën? Kurrë nuk kam qenë afër nënshkrimit me katalanasit, nuk e kam pasur kurrë këtë mundësi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit