Inter-Bayer Leverkusen / Conte nuk ndryshon, e nis me Lukaku-Lautaro

10 Gusht 2020
9:36
Alfred Lleshi
back button

Interi, pasi mposhti Getafe 2-0, duhet të kalojë pengesën e radhës në “Europa League”, që është Bayer Leverkusen. Skuadra e Antonio Conte shihet nga të gjithë si një nga favoritet për fitimin e kompeticionit, por do të duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj gjermanëve.

Bayer Leverkusen eleminoi Rangers me dy fitore, në shtëpi dhe jashtë, në raundin e kaluar. Është hera e parë që Interi luan në çerekfinalen e një kompeticioni europian që nga Liga e Kampionëve 2010-2011, kur u mposht nga Schalke 04. Herën e fundit që zikaltrit u kualifikuan për një gjysmëfinale europiane ishte në 2009-2010, kur fituan Ligën e Kampionëve.

Antonio Conte për këtë arsye beson shumë në fitore dhe dëshiron të zbresë në fushë me skuadrën që ka bërë shumë mirë në ndeshjet e sezonit. I njëjti formacion, që mundi Getafe, do të startojë në fushë sot, në Dyseldorf.

Përpara Handanovic do të jetë sërish Diego Godin, i preferuar para Milan Skriniar. De Vrij dhe Bastoni si gjithmonë plotësojnë repartin e pasmë. D’Ambrosio e fiton sërish balotazhin me Candreva në krahun e djathtë, ndërsa Young lë sërish në stol Biraghi, në të majtë.

Eriksen mbetet përsëri jashtë, me konfirmimin e Brozovic, Barella dhe Gagliardini në mesfushë. Edhe Sanchez duhet të presë, pasi dueti sulmues Lukaku-Lautaro nuk preket. Në kampin gjerman, Havertz është rreziku numër një për mbrojtjen zikaltër. Ai do të veprojë si “9 fals”, sikurse në ndeshjet e fundit të Bundesligës. I shoqëruar nga Diaby dhe Bailey.

Formacionet e mundshme
INTER (3-5-2): Handanovic; Godin, De Vrij, Bastoni; D’Ambrosio, Barella, Brozovic, Gagliardini, Young; Lukaku, Lautaro.
BAYER LEVERKUSEN (4-3-3): Hradecky; L. Bender, Tapsoba, S. Bender, Sinkgraven; Demirbay, Baumgartlinger, Palacios; Bailey, Havertz, Diaby.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit