Inter-i i Simone Inzaghi-t ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në Champions League kundër Barcelona-s. Një ndeshje që ishte e vlefshme për javën e tretë të Grupit C, që është cilësuar si grupi i ferrit.
Heroi i ndeshjes së madhe të luajtur në San Siro ka qenë Hakan Calhanoglu, autor i një goli të mrekullueshëm në fundin e pjesës së parë, që ka vendosur e dhe sfidën.
Ish-fantazisti i Milan-it është kthyer të shënojë në Champions League që nga 14 shtatori i 2016-ës, kundër CSKA-së së Moskës me fanellën e Bayern Leverkusen, gjithmonë nga jashtë zone.
Barcelona ka arritur ta barazojë ndeshjen në minutën e 67-të me Pedri-n, por goli është anuluar për një prekje të topit me dorë.
Pesë minuta para fundit ka ardhur edhe aktivizimi i Kristjan Asllanit, me yllin shqiptar që ka marrë pikërisht vendin e Hakan Calhanoglu.
Në kohën shtesë, balugranat kanë protestuar për një prekje të topit me dorë në zonë nga ana e Dumfires, por VAR dhe arbitri nuk kanë qenë të këtij mendimi.
Kjo fitore e ka ngjitur Inter-in në vendin e dytë të grupit me 6 pikë, tri larg Bayern-it kryesues. Komplikohet situata e Barçës që mban vendin e tretë me 3 pikë dhe dy humbje radhazi të pësuara në dy ndeshjet e fundit.
Këto dy skuadra do të përballen përsëri pas tetë ditësh në Spanjë, aty ku skuadra e Xavi-t do të ketë mundësinë të hakmerret, ndërsa Asllani me shokë do të kërkojnë të hipotekojnë kualifikimin.