Inter-Napoli, flet Spalletti: A do më vërshëllejnë në “San Siro”? S’ka problem, më shajnë kudo

20 Nëntor 2021
15:11
Alfred Lleshi
back button

“Rastet e pozitivitetit me koronavirus në ekip? Që diçka mund të ndodhë në momentin e fundit është pjesë e vështirësive të sezonit. Në fillim të sezonit luajtëm edhe me vetëm tre mesfushorë. Nëse na mungon një lojtar, a duhet të luajmë një lojë të nivelit më të ulët?

Nuk është një mënyrë e drejtë e të menduarit. Do të jetë një ndeshje mes dy skuadrave që kërkojnë fitoren. Synimet janë të shëndetshme nga të dyja palët, zikaltrit janë shumë të fortë”. Kështu e prezantoi Spalletti supersfidën e Serie A, Inter-Napoli, në konferencë për shtyp.

I pyetur se vërshëllehet e shahet shpesh nga tifozët e ish-skuadrave që ka drejtuar, Spalletti sqaroi: “Tifozët në ‘San Siro’ mund të më vërshëllejë, kam marrë ofendime nga shumë anë, por e vlerësoj punën time. Kur largohem shoh nëse kam lënë llogaritë më të mira dhe çfarë rezultatesh kam arritur, pastaj secili mund të rezervojë pritjen që dëshiron.

Tek Interi pata vështirësinë për ta menaxhuar atë moment, ndaj u ktheva në shtëpi. Sidoqoftë, vlerësimet duhen bërë në raport me mundësitë. Nëse një ekip mund të shpenzojë 240 milionë për rroga nuk është i barabartë me një ekip tjetër, që listën e pagave e ka 100 milionë.

Emocionet? E jetoj çdo gjë intensivisht, jam kurioz të shoh se çfarë reagimi do të ketë për mua atje. Falënderoj tifozët paraprakisht, pavarësisht trajtimit që do të më rezervojnë. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, por asgjë përfundimtare. Në këtë kampionat ka ekipe të forta dhe vështirësi që mund t’ju vijnë nga të gjitha anët.

Nuk kam asnjë hakmarrje për të pretenduar. Ndeshja e nesërme është themelore. Në 20 vite karrierë nuk jam ankuar kurrë për asgjë. Nuk kam thënë kurrë se më mungon kjo apo ajo. Problemet nuk mbarojnë kurrë, por as zgjidhjet nuk mbarojnë kurrë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit