Inter përgatitet për Champions-in, Conte rikthen “hajmalinë”

16 Shtator 2019
14:27
Denis Hakanaj
back button

Matias Vecino është gati të kthehet në formacionin titullar të Inter-it me kthimin e Champions League. Mes shumë dyshimesh, Antonio Conte do të ketë një siguri: në mesfushë do të shihet përsëri uruguaiani pasi u la pushim për ndeshjen kundër Udinese-s. Dhe për Inter-in është një garanci.  

Vecino ka qenë vendimtar për kthimin në Champions League të zikaltërve dy vite më parë falë golit të shënuar kundër Lazio-s në javën e fundit të kampionatit.

Gjithashtu, ai ka shënuar edhe golin e fitores në përmbysjen e pabesueshme të realizuar kundër Tottenham në San Siro. Tani është gati të kthehet titullar për t’i garantuar Inter-it dhe Conte-s fuqi, centimetra dhe depërtime pa top.

Ndërkohë, seancat e fundit stërvitore të zikaltërve para sfidës me Slavia Prague do t’i shërbejnë Conte-s për të kuptuar gjendjen e Romelu Lukaku-t, pas problemit që sulmuesi ka patur në kurriz në ndeshjen  kundër Udinese-s. Belgu pritet të jetë në fushë nga minuta e parë, por, duke parë se në fundjavë do të jetë derbi me Milan-in, zikaltrit do të kërkojnë të bëjnë kujdes.

Në mbrojtje pritet të konfirmohet treshja Godin, De Vrij, Skriniar, edhe pse nuk mund të përjashtohet mundësia që uruguaiani të zëvendësohet nga D’Ambrosio. Surpriza të tjera mund të vijnë nga krahët, duke parë se Conte i ka alternuar lojtarët e krahut në të kaluarën, kur ekipet e tij kanë patur një kalendar të ngjeshur.

Lazaro dhe Biraghi shpresojnë që kjo prirje e trajnerit italian të konfirmohet, edhe pse debutimi me zikaltrit në Champions League do të rriste presionin ndaj tyre.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit