Inter si Juventus, gjen një tjetër mënyrë për të marrë një “grusht” para

17 Maj 2019
11:36
back button

Inter po përgatitet për sezonin e ardhshëm, teksa pjesëmarrja në Champions League thuajse është zyrtarizuar dhe pritet një rezultat pozitiv ndaj Napolit ose Empolit për ta bërë fakt të kryer.

Plani për të ngritur një Inter konkurrues  me Juventusin po projektohet dhe direkt kostot janë vënë në kurriz të tifozëve zikaltër, që këtë sezon e kanë kaluar shifrën e 1 milionë shikuesve në ndeshjet e luajtur në “San Siro”.

Duke filluar nga sezoni i ardhshëm çmimi i abonimeve të tifozëve do të rritet deri në 40% në disa sektorë. Siç dihet, “San Siro” është i ndarë në tre unaza me katër ngjyra të ndryshme.

Rreshti i parë ngjyrë blu dhe ai ngjyrë jeshilë janë rritur nga 269 euro në 375 euro për një sezon, që përkon me 19 ndeshje, pra me 40% më shumë se sezonin e kaluar. Sektori që nuk ka ndryshuar çmim nga sezoni i kaluar është ai i kuq, ndërsa në përgjithësi çmimi i abonimeve është rritur me 17%, në krahasim me sezonin e kaluar.

Një skemë të ngjashme e ndoqi Juventus, që rriti me 30% çmimin e abonimeve sapo firmosi me Cristiano Ronaldon (madje 88% më shumë krahasuar me vitin 2012), duke e bërë çmimin minimal 595 euro.

Në 8 nga 10 vitet e fundit Inter është skuadra me më shumë tifozë në shkallët e stadiumit, teksa ky sezon është viti i katërt radhazi me më shumë zikaltër të pranishëm në “San Siro”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit