Inter, sot është dita e Vidal. Ja të gjitha detajet e “martesës” zikaltër

21 Shtator 2020
8:47
Alfred Lleshi
back button

Pritja ishte e gjatë, por në fund, secila pjesë e enigmës po vihet në vend. Arturo Vidal, pasi zbarkoi në Milano të dielën në mbrëmje, është gati të ndërmarrë hapat e fundit, që çojnë drejt nënshkrimit të kontratës, e cila do ta lidhë atë me Interin për sezonet e ardhshme.

Të hënën në mëngjes, mesfushori kilian filloi ekzaminimet e zakonshme mjekësore. Programi parashikon orët e ardhshme të ndara midis CONI dhe “Humanitas”; më pas shkuarja në selinë e klubit për të firmosur marrëveshjen 2+1 vjeçare.

Vidal pritet të bashkohet me shokët e tij të rinj të ekipit të martën dhe për këtë arsye do të jetë në dispozicion të trajnerit Conte për ndeshjen debutuese të Interit, në kampionatin e ri. Kjo ndeshje është planifikuar për të shtunën e ardhshme në Milano, kundër Fiorentinës.

Për ish-lojtarin e Barcelonës, ky është një kthim në Itali, pasi në vitet 2011-2015 veshi fanellën e Juventusit për katër sezone, duke fituar 4 titujt kampioni, 3 Superkupa të Italisë dhe 1 Kupë të Italisë, si protagonist i shkëlqyeshëm bardhezi. Tani, në moshën 33-vjeçare, mbërrin aventura e re italiane, e ngjyrosur zikaltër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit