Interi do francezin 60-milionësh, gati të “flijojë” Skriniar për të

1 Gusht 2020
9:37
Alfred Lleshi
back button

Objektivi kryesor i merkatos së verës është Tanguy Ndombele. Me Tonali në listë, Interi do të dëshironte t’i jepte Antonio Conte mesfushorin francez, që luan aktualisht për Tottenham. E synon këtë edhe me koston e “flijimit” të Milan Skriniar, siç raportohet nga “Sky Sport”.

Në fakt, kjo është ideja e fundit e zikaltërve, në përpjekje për t’i bindur “Spurs” ta lënë francezin e datëlindjes 1996, i cili i kushtoi 60 milionë euro klubit anglez, kur e bleu verën e kaluar. Ai arriti një vit më parë nga Lyon, ndërsa ka luajtur 29 ndeshje nën drejtimin e Pochettino dhe Mourinho.

Tottenham nga ana e tij nuk do të jetë i prirur ta lërë lojtarin të largohet. Presidenti Levy nuk ka dhënë asnjë shenjë pozitive për Interin, i cili ende vazhdon të shpresojë dhe do të punojë në ditët në vijim për ta bërë atë të ndryshojë mendim.

Për klubin londinez do të ekzistonte një tjetër pengesë, përkatësisht vështirësitë në plotësimin e kërkesave personale të Skriniar në aspektin ekonomik. Për momentin, ky shkëmbim mbetet vetëm ide e zikaltërve, e cila shpresojnë të shndërrohet në negociata.

Rinovimi i Borja Valero duket qartë se ka fituar terren, duke shkuar drejt vitit të tij të katërt në Milano. Pasi u mënjanua disi, ai provoi të ishte një armë themelore për Antonio Conte. Dhe firma deri në vitin 2021 duket një hap larg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit