Interi “lan duart”; Tonali, Vidal dhe Cavani nuk do të vishen zikaltër

29 Maj 2020
16:11
Alfred Lleshi
back button

Çështja e huazimeve bëhet delikate, pas situatës së diktuar nga emergjenca shëndetësore, midis afateve që ndoshta nuk do të respektohen dhe marrëveshjeve të reja. Kjo vlen edhe për Interin. Piero Ausilio sqaron: “Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Perisic dhe Bayernin. Në lidhje me këtë futbollist kemi vendosur të flasim më vonë. Nainggolan? Është një situatë ndryshe, sepse para së gjithash nuk ka alternativa, kështu që Nainggolan, me siguri do të kthehet tek Interi. Do të diskutojmë së bashku me lojtarin dhe trajnerin. Ne kemi lojtarë të huazuar edhe në ekipe të tjera, duam që ta përfundojnë sezonin atje ku janë”.

Në vend të kësaj, shumë emra janë lidhur me zikaltrit, sa i përket merkatos në hyrje: “Tonali definitivisht ka cilësi për të luajtur me Interin. Nuk e di nëse ka cilësinë ekonomike, për sa duhet të blihet. Ai i ka të gjithë parametrat për të qenë lojtar zikaltër, por nuk merrem me pengesat e presidentit Cellino. Gjithmonë e kemi pëlqyer atë, por Tonali nuk do të vijë. Unë i di arsyet dhe ato janë të ndryshme, di edhe mendimin e djalit dhe njerëzve përreth tij. Është e vërtetë që ka një klauzolë, por nuk do të vijë. Cunha? Jemi të interesuar, po e ndjekim atë”.

Në sfond, megjithatë, dalin edhe emrat e Edinson Cavani e Arturo Vidal, në lidhje me një rikthim të mundshëm në Serie A: “Cavani nuk është prioritet, thjesht sepse reaprti ynë sulmues është i përbërë nga Martinez, Lukaku dhe Sanchez. Përveç këtyre, kemi edhe Esposito, i cili është i mirë, por shumë i ri. Do të shohim nëse do ta dërgojmë atë në huazim diku, të fitojë përvojë. As Vidal nuk është një mundësi. Mesfusha jonë është e fortë, duam ta përmirësojmë atë përmes rritjes së talenteve të tillë si Barella dhe Sensi. Pastaj kemi Eriksen, të cilit i duhet vetëm kohë për t’u përshtatur e dhënë më të mirën”.

Në fund, një përmbledhje e tregut të transferimeve, që do të përfshijë gjithë skenën e futbollit europian: “Nuk ka çmime të ulëta. Në të vërtetë, disa madje janë rritur. Duket se të gjithë kanë frikë të ndërmarrin hapin e parë, unë jam i shqetësuar. Mendoj se do të zgjasë shumë dhe “fishekzjarret” do të ndizen në shtator”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit