Interi luan “tenis” ndaj Verona-s dhe blindon vendin e katërt, Milani dhe Roma “ngecin”. Lazio fluturon e dyta

3 Maj 2023
23:01
Telesport
back button

Interi rikthehet fuqishëm në garën për një vend në zonën Champions, teksa mposhti Verona-n me rezultatin e thellë 0-6 dhe regjistroi fitoren e tretë radhazi, që e ngjit në vendin e katërt me 60 pikë. Zikaltrit dominuan totalisht, teksa pas disa pritjeve të Montipo, ishte Gaixh që devijoi topin në portën e tij në mënyrë të pafat, duke u dhënë avantazhin djemve të Simone Inzaghit.

Minutat 36’ dhe 37’ ishin vendimtare për fatin e takimit, pasi fillimisht ishte Calhanoglu që shënoi një gol spektakolar dhe më pas ishte Dzeko që dërgoi topin në rrjetë për herë të tretë, duke çuar skaudrën në dhomat e zhveshjes me avantazhin 0-3.

Në pjesën e dytë ishin Lautaro dy herë dhe Dzeko që shënuan sërish, duke vulosur fitoren e thellë 0-6, që sinjalizon edhe rikthimin e Interit në një formë të shkëlqyer, në sprintin final të sezonit.

Sakaq, Milani zhgënjeu në shtëpi, këtë herë përballë Cremoneses, skuadres qe eshte me nje kembe ne Serie B. Kuqezinjte nuk shkuan dot përtej barazimit 1-1. Ishte Okereke ai që shënoi në minutën e 77’ duke befasuar kuqezinjte dhe bëri çfarë deshi me dy qendërmbrojtësit kuqezi dhe dërgoi topin në rrjetë.

Kuqezinjtë u përgjigjën në shtesë, duke shmangur humbjen dhe marrë një pikë me vlera. Ne fund portieri i Cremoneses beri nje superpritje. Nuk shkoi përtej barazimit 1-1 edhe Roma në transfertën ndaj Monzës, ndonëse kaloi e para në avantazh. El Sharawi u dha avantazhin verdhekuqve, por më pas ishte Caldirola ai që riktheu baraspeshën, duke ndalur verdhekuqtë.

Mori tre pikët Lazio, që iu fal një goli të Felipe Anderson në minutën e 14 dhe një tjetri të Basic në shtesë, për të fituar me rezultatin 2-0 ndaj Sassuolos dhe për të ruajtur vendin e dytë në renditjen e Serisë A.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit