Interi tenton rikthimin e bujshëm të… nënkampionit të botës

12 Qershor 2019
10:15
Alfred Lleshi
back button

"Disa dashuri nuk përfundojnë, bëjnë kthesa të mëdha dhe pastaj kthehen". Kështu këndoi Antonello Venditti në Itali, i cili nuk kishte lidhje me futbollin. Vargu në fjalë i njërës prej këngëve të tij e përshkruan në mënyrë perfekte një nga negociatat, që ka ngërthyer Interin në këtë fazë të parë të merkatos verore. 

Mateo Kovacic, në fakt, pas tri vitesh te Real Madridi dhe një vitit te Chelsea (i huazuar), mund të kthehet te zikaltrit. Me këtë fanellë u katapultua në futbollin elitar europian, luajti 97 ndeshje gjithsej dhe shënoi 8 gola në dy vite e gjysmë. Siç raportohet nga “Tuttosport”, negociatat me Real Madridin kanë filluar. Interi zynon ta huazojë fillimisht kroatin dhe pastaj ta blejë përfundimisht. 

“Merengues” nuk e kanë kundërshtuar propozimin e zikaltërve, por duhet ta rinovojnë kontratën e Kovacic, duke pasur parasysh se ajo përfundon në vitin 2021. Tek Interi, Mateo ka lënë vetëm gjëra pozitive. Nuk është mister që Piero Ausilio kurrë nuk e ka harruar atë. Edhe Beppe Marotta e pëlqen mesfushorin nënkampion bote, madje tentoi ta merrte te Juventusi gjatë merkatos së verës së kaluar. 

Së fundi, por ndoshta i pari për nga rëndësia, kroatin e pëlqen shumë edhe Antonio Conte. Trajneri i ri i Interit e sheh atë në “kullën e regjisë” së modulit 3-5-2. Aktualisht, Kovacic merr rreth 4 milionë euro në vit. Kjo shumë nuk duhet të jetë pengesë për Interin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit