INTERVISTA/ E shkarkoi Kukësi, tani flet Cungu: Iki me kokën lart, nuk besoj se lojtarët i kisha kundër

19 Mars 2019
12:30
Anton Cicani
back button

Tetë muaj ka zgjatur aventura e Armando Cungut te Kukësi. Një rikthim për trajnerin shkodran, pasi shkruajti faqet më të bukura të historisë verilindore, në Europa League. Në një intervistë të dhënë për "Telesport", ish-tekniku i Kukësit ka folur rreth gjithçka ndodhi, këtyre muajve punë dhe sidomos asaj që nuk funksionoi.

Profesor, rrufe në qiell të hapur. E prisnit këtë shkarkim?

Të them të drejtën, edhe e prisja, edhe nuk e prisja. Kjo situatë ishte krijuar edhe thuajse tri javë më parë, kur ndërhyrja e presidentit Gjici bëri që të vazhdoja të drejtoja Kukësin. Dje në mbrëmje m'u komunikua dhe sot në mëngjes shkova në zyrë dhe u takova me presidentin, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit.

Jeni i bindur se bëtë maksimumin, apo nëse do të ktheheshit mbrapa në kohë, do të ndryshonit diçka?

Aspak. Kam bërë maksimumin tim. Largohem me kokën lart, me një skuadër që është ende në garë për titullin, që lufton për të fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Mendoni se disa futbollistë "lundruan" jo në një drejtim me ju?

Nuk besoj, por edhe nëse dikush e ka bërë, mjerë ai. Sepse, grupin e kisha nën kontroll dhe të gjithë ishim për një objektiv. Pakënaqësi të vogla ka, sigurisht, për ata që nuk luajnë. Por, do të ishte e çuditshme po të mos kishte, realisht.

A do të ktheheshit më në Kukës në rast se do të vinte një tjetër telefonatë në të ardhmen, nisur edhe nga raportet me presidentin Gjici?

Jo, tri herë janë shumë. Mjaftueshëm janë dy herë. Kukësit i uroj të gjitha të mirat e kësaj bote, por nuk do të kthehesha më.


Jeni ankuar disa herë se merkaton e verës e gjetët gati dhe se nuk e ndërtuat ju ekipin. Po në janar që ishit në stol, a erdhën futbollistët pa konsensusin tuaj?

Absolutisht që jo. Kam folur me drejtuesit dhe sipas nevojave kemi bërë edhe ndërhyrjet e duhura. Si mund të them që Rroca apo Shkurtaj janë dy afrime që nuk doja? Çdo trajner do t'i kishte dashur në ekipin e tij. Edhe Valdet Rama, që ka qenë dikur pjesë e kombëtares, gjithashtu një lojtar që bën diferencën.

Çfarë ndodhi këtë sezon? Pse nuk funksinoi Kukësi?

Nëse ndryshon 2/3 e një skuadre, sigurisht që duhet koha e përshtatshme. Eshtë si një organ i ri në trupin e njeriut. Nuk mund të përshtatet menjëherë. Kishte djem të rinj, pa përvojë për të luftuar për titullin apo për të duruar presionin e ndjekësit. Besoj se bazat u hodhën, thjesht duhet pak kohë. Megjithatë, unë i uroj Kukësit që të luftojë deri në fund për titullin dhe jam i bindur se do ta bëjë. Në të njëjtën kohë, besoj se do të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë. Kontigjentin e futbollistëve e ka dhe me disa rikthime pas dëmtimeve, do të jenë edhe më të fortë.

Si u ndatë me presidentin?
Në mënyrë shoqërore dhe të ngrohtë. Nuk kam asgjë ndaj presidentit dhe ai e di. Siç edhe ai nuk ka asgjë kundrejt meje.

Çfarë ju penalizoi këtë sezon?

Besoj se një pengesë e madhe që ka ndikuar ishte fakti që nuk kemi luajtur në stadiumin tonë, që do të ishte arma më shumë, ose futbollisti i 12-të. Shumë skuadra kanë fituar ndeshje që edhe nuk meritonin thjesht prej publikut dhe shtyrjes apo përkrahjes që i ka dhënë. Të luftosh për titull pa stadiumin tënd është tepër e vështirë.

Çfarë kishte më shumë Partizani?

Strategjia e zgjedhur, ndoshta. Ata nuk ndryshuar aspak grupin. Ndërhynë me pikatore, duke marrë futbollistë funksionalë dhe duke plotësuar grupin. Pastaj, fakti që patën ecuri pozitive dhe vazhdimësi, duke marrë kreun, i dha më shumë bindje. Ndryshe është të jesh i pari, ndryshe të ndjekësh. Por, në një moment, u afruam me 3 pikë dhe aty ndoshta gabuam, duke ngadalësuar më pas hapin.

Në Shqipëri nuk u jepet kohë trajnerëve dhe menjëherë, pas një rezultati negativ, bëhet "kokë turku" dikush…

Jo vetëm në Shqipëri, kudo në botë. Eshtë profesioni ynë. Ja shihni Liverpool. Jurgen Klopp ka disa vite aty dhe çdo seksion merkatoje investohen shuma të mëdha parash, por sërish nuk ka asgjë të sigurt edhe këtë vit për të fituar titullin, sepse City e ka marrë veten. Duhet kohë, projektim dhe sidomos durim. Ekipet e mëdha ndërtohen kështu, sidomos pasi fitohet edhe eksperienca e futbollistëve.

Po tani, çfarë do të bëjë Cungu?

Do të jem tifoz për Kukësin. Dua të pushoj deri në verë, më pas do të shoh se çfarë mundësish do të më ofrohen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit