Intervista unike e Allegrit për futbollin: Askush nuk luan dot si Barça e Guardiolës

21 Shkurt 2020
15:34
Alfred Lleshi
back button

Duke pritur të rikthehet në pankinë, Massimiliano Allegri, i intervistuar nga “L’Equipe”, shpjegoi edhe një herë idenë e tij për futbollin, e cila është shumë larg nga ai që është aktualisht në modë. Në fakt, ish-trajneri i Juventusit mbetet i bindur se lojtarët individual i vendosin ndeshjet, jo sistemet e lojës: “Ne duhet të përpiqemi t’i bëjmë trajnerët e ardhshëm të kuptojnë se nuk luajnë ata në fushë, gjë që është e rëndësishme, por jo vendimtare. Krijimi i frymës së ekipit, si në çdo organizatë, është e rëndësishme, por janë futbollistët që e fitojnë lojën. Unë kurrë nuk kam parë një trajner të shënojë gola. Ju duhet t’i jepni kohezion ekipit, por nuk mund të imagjinoni ta fitoni ndeshjen me një plan taktik”.

Thënë shkurt, trajneri ndikon në performancën e një ekipi futbolli, por jo në mënyrë vendimtare, siç mendojnë shumë: “Një trajner duhet të jetojë në fushë. Përgatiteni ndeshjen, thuajini lojtarëve: ne do ta bëjmë këtë, edhe atë. Dhe pastaj, nënta nga dhjeta është ndryshe. Trajneri i mirë është ai që bën më pak dëm. Është ai që mund të lexojë lojën, nuk ka rëndësi nëse luan me 3, 4 apo 5 lojtarë pas. Nga e hëna në të premte ai bën një punë, të dielën (ditën e ndeshjes) një tjetër, vetëm menaxhon të papriturat. Një udhëheqës i shkëlqyer e gjen zgjidhjen për problemin e tij së pari të tjerët”.

Allegrit, pra, nuk i pëlqen të lexojë statistika, ose numra, por preferon të shikojë se çfarë ndodh në fushë dhe të marrë vendime në përputhje me rrethanat: “Nëse fitoni 2-0, nuk ka rëndësi nëse zotërimin e topit e ka pasur kundërshtari. Fjala vjen, unë vendosa të mos e zotëroj topin, por të fitoj…; cili është problemi? Unë vërej se golat më spektakolarë janë ato të shënuar në kundërsulm, sepse kombinojnë teknikën, shpejtësinë dhe hapësirën. Posedimi është i rëndësishëm në menaxhimin e një ndeshjeje. Nëse jeni duke luajtur kundër një ekipi që mbrohet me dhjetë lojtarë, është e qartë se do të keni posedim topi, por cila është merita juaj, po nuk shënove e fitove?”

Kuptohet, ka një përjashtim nga kjo qasje, edhe për Allegri. Ajo është Barcelona e Guardiolës. Një model që, sipas tij, askush nuk do të jetë në gjendje ta imitojë: “Kur Pep drejtonte Barcelonën, filozofia e tij ishte të reagonte ndaj humbjes së topit, ta rimerrte atë menjëherë, ta kontrollonte, sepse kishte Xavi, Messi dhe Iniesta. Dhe kur vendoseshin në kontakt me topin, ata dinin edhe të shënonin. Manchester City luan një futboll shumë të ndryshëm, sepse Pep është inteligjent dhe i sheh karakteristikat e lojtarëve të tij. Barça e tij ishte unike dhe nuk mund të përsëritet, nuk është pjesë e futbollit normal. Ai kishte lojtarë të jashtëzakonshëm dhe askush nuk do ta luajë përsëri atë futboll. Ne u përpoqëm të kopjonim diçka që nuk ekzistonte! Ekziston vetëm një Messi, që mund të driblojë tetë kundërshtarë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit