Inzaghi i kundërpërgjigjet Allegrit: Juve i dyti me pikët e fushës? Shikoj renditjen aktuale, por kemi nevojë për qartësi

18 Mars 2023
13:59
Alfred Lleshi
back button

Nuk ka kohë për të festuar për Interin e Simone Inzaghit. Katër ditë pas kualifikimit ndaj Portos, me Champions League që afron çerekfinalet 12 vite pas herës së fundit, është tashmë një sprovë e re për zikaltrit. Skuadra milaneze është në pritje të një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme, derbit italian ndaj Juventusit, të planifikuar për nesër në mbrëmje në “San Siro”.

Inzaghi e prezantoi ndeshjen në fjalë në një konferencë për shtyp: “Ne e dimë se çfarë përfaqëson ndeshja me Juventusin për klubin, tifozët. Do të jetë një ndeshje mes dy skuadrave që po bëjnë mirë dhe kanë avancuar në Kupat e Evropës. Shpirt gare, agresion, vendosmëri; e tillë do të jetë kjo ndeshje”.

Inzaghi nxjerr në pah forcën e kundërshtarëve bardhezinj: “Ne e konsiderojmë Juventusin një ekip të madh. Bardhezinjtë janë të kompletuar, të përbërë nga lojtarë shumë të fortë. Ne i respektojmë shumë, i sfiduam në ndeshjen e parë, do të jenë edhe dy ndeshjet e ‘Coppa Italia’. E dimë se sa e rëndësishme është përgatitja mendore, ndaj Juventusit akoma më shumë”.

Trajneri nga Piacenza shpreson të mos ketë gabime të reja pas triumfeve, siç ka ndodhur tashmë këtë sezon, si pas Superkupës së fituar në Riad: “Kualifikimi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve është një burim krenarie e madhe. Është ndeshja e fundit në fund të një periudhe intensive.

Ka lodhje dhe disa lëndime, por shikojmë nga Juventusi. Nuk duhet të shikojmë prapa. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, do të kemi një prill intensiv. Kemi luajtur 37 ndeshje, do të jenë edhe 16 të tjera të sigurta nga këtu deri në fund. Le të shpresojmë edhe disa të tjera. Do të më duhen të gjithë lojtarët në dispozicion”.

Konfirmohen tri mungesa te zikaltrit: “Sigurisht që nuk do të kemi Skriniar, Gosens dhe Bastoni. Pastaj më duhet t’i vlerësoj disa lojtarë të tjerë sot, por kam besim. E dimë mirë rëndësinë e kësaj ndeshjeje”.

A mund të ëndërrojë një karrierë të madhe edhe në Champions League? Inzaghi “fluturon ulët”: “Ne të gjithë shpresojmë kështu. Si trajner, mendimi i vetëm tani është Juventusi. Jemi krenarë për atë që bëmë në Porto, por fokusi është te kampionati. Jemi në ndeshjen e fundit të një cikli të tmerrshëm dhe duam ta luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Ndër protagonistët më të pritur nesër është Romelu Lukaku: “Koha e lojës po rritet. Ai ishte shumë i rëndësishëm së bashku me shokët për çerekfinalet e Champions League. Në ndeshjen e parë ndaj Portos shënoi, luajti në Spezia. Ai po punon në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet të bëj zgjedhje herë pas here, por jam shumë i kënaqur me Lukakun. Edhe Correa po stërvitet mirë prej 4 ditësh. Ne do të kemi nevojë për të gjithë”.

Trajneri i Interit e di se duhet t’iu kushtojë vëmendje disa individëve bardhezinj, veçanërisht kundër Di Maria: “Ne të gjithë e dimë se çfarë lloj lojtari është ai. Një kampion bote, një kampion i Amerikës së Jugut. Ai është një kampion i madh.

Pashë Juventusin duke luajtur me Kean dhe Vlahovic në minutën e fundit, një ekip i shkëlqyer. Ata gjithashtu kanë Chiesa, një potencial të madh. Skuadra e tyre është shumë e rëndësishme, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje Di Marias, Chiesa, Vlahovic”.

A është Interi i dyti apo ka të drejtë që Juve të ndihet i dyti? Inzaghi përgjigjet si më poshtë: “Unë shikoj renditjen e tanishme. Ka procedura ligjore dhe organet janë duke vlerësuar. Mund ta përgëzoj Juventusin vetëm për kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Europës. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Shpresojmë, sepse kampionati dhe skuadrat që janë në vështirësi kanë nevojë për qartësi sa më shpejt të jetë e mundur”.

Për kritikat dhe fjalët pas Portos, Inzaghi sqaron: “Deklarata ime nuk ishte një shpërthim. Shqetësimi im më i madh është që të gjithë punojmë për të mirën e Interit. Kritika për mirë apo për keq do të ketë gjithmonë, ne duhet të kuptojmë se cilat të marrim parasysh dhe cilat t’i hedhim në kosh”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit