Inzaghi: Ndeshje titulli ndaj Atalantës, nuk dua të flas për Dybala

15 Janar 2022
13:52
Alfred Lleshi

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Atalantës: “Me meritë fituam Superkupën ndaj një kundërshtari që zhvilloi ndeshje të shkëlqyer. Fitimi i trofeut të parë me Interin, me tifozët ishte i mrekullueshëm.

Tashmë Superkupa është pjesë e së kaluarës, duhet të evitojmë euforinë, sepse në Bergamo na pret një ndeshje shumë e komplikuar. Gasperini dhe Atalanta kanë bërë mirë për disa vite. Me kalimin e viteve, futbolli ka evoluar dhe zënia e hapësirës është gjithnjë e më e rëndësishme. Do të jetë një ndeshje fizike dhe e bukur, me ritëm shumë të lartë”.

Inzaghi pati disa fjalë edhe për Sanchez dhe Dybala: “Sanchez ishte vendimtar. Jam i lumtur që e stërvis. Aksioni që na dha Superkupën përfshinte katër lojtarë zëvendësues. Përcaktues ishte edhe Vidal, i cili u fut gjatë ndeshjes në vazhdim. Për një trajner, kjo është kënaqësi e madhe.

Kush është lojtar i madh stërvitet gjithmonë për t’u përmirësuar, edhe pse tashmë Sanchez është një kampion i madh. Jam i lumtur për të, është një pasuri e madhe për Interin. Dybala? Kam lexuar diçka nëpër media. Sidoqoftë, nuk më pëlqen të flas për lojtarët e skuadrave të tjera, flas për të mitë dhe jam krenar që i stërvis”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit