Inzaghi në pikë të hallit tek Interi, tifozët e Lazios janë të ndarë për fatin e “tradhtarit”

4 Tetor 2022
9:00
Alfred Lleshi
back button

Natyrisht, të shtunën mbrëma kundër Romës të gjithë brohoritën për Interin e Inzaghit për arsyen e qartë të rivalitetit të qytetit. Por në të gjitha ndeshjet e tjera të zikaltërve, kur ish-trajneri i Lazios pësonte disfata të këqija, shumica e tifozëve bardhekaltër kanë ndjerë njëfarë shije kënaqësie.

“Kujtime të këqija nga zëvendësimet sa herë që një lojtar ndëshkohet”, – ishte komenti më pikant pas Udinese-Inter, kur bëri bujë zëvendësimi i dyfishtë i Bastoni dhe Mkhitaryan në pjesën e parë.

Ky gëzim për të parë humbjen e Interit të Inzaghit është ajo që shumë tifozë të Lazio e dëshmojnë në rrjetet sociale dhe në biseda, por nuk dihet nëse është edhe ndjenja që ata kanë vërtet. Ka mundësi që të jetë një reagim fasadë, sërish prej zemërimit për tradhti verën e kaluar.

Një shpjegim racional, i besueshëm. Tifozët e Lazios u ndjenë të braktisur prej Inzaghi, sepse humbën një figurë e që kishin pasur prej 22 vitesh, si në fushë, ashtu edhe në stol. Ata u braktisën në altar me unazat e martesës, pas premtimit për një martesë të mëtejshme me Lotiton, për të përqafuar një tjetër projekt, atë zikaltër.

Një largim i papranueshëm për shumë, por jo për të gjithë. Shumë njerëz në botën bardhekaltër kanë mbetur të lidhur me Inzaghin, janë të gëzuar nga fitoret e tij dhe iu vjen keq kur ai është në vështirësi.

“Ai bëri zgjedhjen e duhur profesionale, Interi i dha dy herë më shumë se Lazio”, – ishte teza e atyre që e mbështetën trajnerin një vit e gjysmë më parë. Tani shpresojnë se ai do të jetë në gjendje të rimarrë kontrollin në dhomën e zhveshjes së zikaltërve.

Për ta, bota sociale e Lazios ka krijuar madje një përkufizim të ri: “Vejushat e Inzaghit”. Këto të veja kanë rënë këtë vit për një sërë arsyesh, jo më pak për rritjen e ekipit nën drejtimin e pasuesit të tij, Sarri.

Një postim në Facebook mbrëmjen e së dielës ishte emblematik: “Dielli, 4 gola në Spezia, 0 gola të pësuar, vendi i 3-të me sulmin e dytë më të mirë dhe mbrojtja e dytë më e mirë. Një ditë për t’u harruar për vejushat e Inzaghit”. Megjithatë, sa më shumë të vazhdohet në kohë, aq më shumë do të ulet ndjenja e armiqësisë, siç ndodh gjithmonë në histori dashurie.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit