Inzaghi: Nuk i zë kurrë besë Milanit, ju tregoj liderin tonë

2 Nëntor 2019
15:02
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Lazio, Simone Inzaghi, foli në prag të sfidës së ekipit të tij kundër Milanit, në “San Siro”. Bardhekaltrit do të duhet të ndjekin ritmin e dy fitoreve të fundit radhazi, kundër Fiorentina dhe Torino: “Nesër do të përballemi me një ekip të shkëlqyer. Milani humbi Cutrone, por bleu pesë lojtarë me vlerë absolute për ta përmirësuar vendin e pestë, që zunë sezonin e kaluar. Me këtë dua të them se nuk iu zë besë kuqezinjve, krizës së tyre e gjëra të tjera këtij lloji. Është e qartë: do të duhet të luajmë me personalitet në këtë transfertë”.

Lidhur me polemikat mbi VAR, që i shoqëruan ndeshjet pararendëse në mesjavë, Inzaghi shtoi: “Unë i kam premtuar vetes që të mos flas më për gjykimin. Sidoqoftë, është një mjet, që duhet të përdoret për ndihmë, edhe pse kemi një klasë shumë të mirë arbitrash”. Trajneri bardhekaltër foli edhe për formën e Ciro Immobile, golashënuesit aktual të Serie A: “Ai mbështetet nga i gjithë ekipi, sepse e dimë se është udhëheqësi ynë në sulm. Kur ia kërkojmë disa sakrifica, ai kurrë nuk e tërheq këmbën mbrapa. Tashmë ka tejkaluar shumë rekorde me Lazio, por jam i sigurt se nuk do të ndalet këtu. Ai është 29 vjeç, por ka ende shumë dëshirë për t’u përmirësuar”.

Në fund, disa fjalë për Stefano Pioli, ish-trajnerin e Lazio, tashmë në stolin e kuqezinjve: “Ekziston një respekt i madh dhe i  ndërsjellë mes nesh. Kemi punuar së bashku, kur unë isha te të rinjtë e Lazio, ndërsa ai në krye të ekipit të parë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit