Inzaghi “skanon” krizën e Milanit: Nuk është gjë e re, Ibra s’ka nevojë për para dhe lavdi…

14 Janar 2020
12:11
Alfred Lleshi
back button

Filippo Inzaghi, trajneri i Beneventos dhe ish-sulmuesi e trajneri i Milanit, u rrëfye për shumë gjëra në një intervistë ekskluzive me “Corriere della Sera”.

Situata te Milani – “Jo e mirë dhe, për fat të keq, nuk është e re. Sidoqoftë, unë e njoh Maldinin, i besoj atij. Jam i sigurt që Paolo dhe Boban do ta nxjerrin klubin nga kjo situatë. Me merkato dhe elementët e rinj, gjërat mund të përmirësohen. Mbi të gjitha, drejtuesit dhe tifozët duhet të jenë të durueshëm. Vazhdimësia në menaxhim është e nevojshme”.

Eksperienca e tij si trajner te Milani – “Fusha ka treguar që trajnerët kanë qenë më e keqja më e vogël. Shumë kanë ardhur e janë larguar, por asgjë nuk ka ndryshuar”.

Për blerjen e Ibrahimovic – “Drejtuesit bënë shumë mirë, duhej një lider i tillë në skuadër. Kam luajtur me të, e respektoj shumë. Ibra nuk ka nevojë për para dhe as lavdi. Nëse është rikthyer, kjo do të thotë që beson se mund të lërë sërish shenjë te Milani. Dhe më duket se lojërat e para e kanë treguar këtë. Që në debutim u vu re se sa mund të peshojë ai te Milani. Gjithë ato “rrëshqitje”, ato topa të zotëruar në mes të zones kundërshtare. Kthimi i tij te Milani nuk është sikur po shkon në dasmë”.

Mbi trajnerët – “Ancelotti është numri një në menaxhim. Tani e konsideroj veten teknik të fushës, sepse kam një kulturë që vjen nga sektori i të rinjve”.

Mbi vëllanë e tij te Lazio – “Simone nuk është një model për mua, por për shumë trajnerë. Është një nga më të mirët në Evropë, kush ka arritur rezultate si të tijat? Ai di si t’i menaxhojë lojtarët dhe është i zoti në fushë. Simone është një teknik i vërtetë modern. Përballja e ideve është e vazhdueshme. Ne flasim çdo ditë dhe vetëm për futbollin, si dhe nipërit e mbesat e mia”.

Mbi Lazio – “Do të arrinte një objektiv të jashtëzakonshëm, nëse kualifikohet në Ligën e Kampionëve. Juventusi ka një stol mjaft cilësor dhe në planin afatgjatë, mendoj se ky fakt mund të bëjë ndryshimin për titullin. Edhe Interi është, gjithashtu, superior. Sidoqoftë, të ëndërrosh nuk të kushton asgjë. Por, nëse mendoj për ato që u thanë për Simone dy muaj më parë…”

Më mirë trajner apo komentatori në TV  – “Unë gjithmonë e kam refuzuar komentatorin televiziv, për dy arsye. E para, se nuk mund të kritikoja dikë që bën punën time, sepse jam i vetëdijshëm sa e vështirë është. Nëse jeni në TV, keni gjithmonë të drejtë. Bëj trajnerin me pasion. Kam një dashuri të çmendur për këtë punë. Më pëlqen gjithçka, edhe sakrificat e këtij profesioni, nëse mund t’i quani të tilla ato që varen nga ne. Për mua kategoria ku trajnon nuk llogaritet. Është njësoj si ne Serie C, vetëm kërkoj të bëj atë që dua. Unë isha i lumtur te Venezia, madje edhe në Bolognë, megjithë vështirësitë. Ashtu si tani te Benevento”.

Mbi të ardhmen e tij – “Mendoj vetëm për Benevento. Në vitin 2017, më thirri drejtori sportiv i Foggia. Kam pasur shumë propozime, por zgjodha Bologna. Ai më kërkoi edhe gjashtë muaj më parë, megjithëse gjërat ishin përkeqësuar për mua. Pra, nuk më ka munguar respekti kur të gjithë më donin, por edhe kur askush nuk më donte. Dhe nuk do ta harroj këtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit