IOC hap “dritën jeshile” për sportistët rusë e bjellorusë në Olimpiadë, por me një kusht

29 Mars 2023
9:17
Telesport
back button

Lojërat Olimpike “Paris 2024” po afrohen dhe ende është në dilemë nëse do të lejohen të garojnë sportistët rusë e bjellorusë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në mbledhjen e fundit të zhvilluar, ka kërkuar ende kohë për të diskutuar për këtë çështje dhe se në momentin e duhur do të marrë një vendim.

Gjithsesi, IOC u ka kërkuar Federatave ndërkombëtare që të lejojnë dhe ftojnë sportistët e këtyre dy vendeve, duke garuar si neutralë. Kushti i vetëm është që ata të mos mbështesin luftën në Ukrainë. IOC e motivon këtë vendim, me faktin se në botë ka shumë vende që janë në luftë dhe sportistët e këtyre vendeve nuk janë përjashtuar nga garat.

Kjo do të thotë se sportistët rusë e bjellorusë mund të lejohen në Lojërat Olimpike të Parisit pas një viti. “Ne morëm në konsideratë edhe 70 konflikte të tjera të armatosura në gjithë botën dhe pamë që komitetet olimpike të këtyre vendeve që janë në luftë ndjekin princimet e Kartës Olimpike”, thuhet në deklaratën e IOC.

IOC shtoi se do të vijojë mbështetjen e sportistëve ukrainas, duke trefishuar ndihmën ekonomike të fondit të solidaritetit, duke e çuar në 7.5 milionë dollarë. Gjithsesi, ideja që IOC do të lejojë sportistët rusë e bjellorusë nuk është mirëpritur dhe mjaft reagime kanë ardhur nga bota e sportit dhe politikës, që kanë dalë kundër.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit