Ish-futbollisti i njohur kosovar ia vendos emrin djalit “Zidane”: Ishte inspiruesi im!

26 Tetor 2021
10:17
Alfred Lleshi
back button

Analisti i futbollit dhe ish-mesfushori i SC Gjilani, Arben Zeqiri, ka një gëzim të madh në familje. Atij i ka lindur një djalë, duke u bërë për herë të dytë baba. E duke qenë se njihet edhe si admirues i madh i legjendës së futbollit botëror, Zinedine Zidane, ai ka zgjedhur t’ia vndosë emrin Zidan të birit të porsalindur. Pra, e ka pagëzuar me emrin e ikonës së futbollit.

Arbeni tregon se me shumë kënaqësi ia ka vendosur këtë emër, pasi si fëmijë Zidane ishte inspiruesi i tij: “Unë Zidane e kam idhull. Ishte inspiruesi im. Qysh i vogël e kam pëlqyer shumë si futbollist. Ka qenë artist i lojës së futbollit.

A jeni duke e parë se nga momenti që Zidane e ka lënë futbollin e luajtur, nuk po vjen më një lojtar si ai. I pata thënë vetes se nëse ndonjëherë Zoti më falë djalë, do ta pagëzoj me emrin e Zidane. Si tifoz jam me Real Madridin, që nga koha e Raulit, por kur Zidane kaloi atje, atëherë ekipi im i zemrës u kompletua”.

Ai zbulon edhe një rast, teksa punonte në Dubai, para disa vitesh: “Në vitin 2016 shkova në Dubai dhe atje punova për dy vite e gjysmë. Të gjithë më thirrnin ‘Abu Zidane’ (Baba i Zidanit), për shkak të veshjeve me Zidane. Nga Dubai u largova me insistimin e prindërve, edhe pse kam punuar në Gardën presidenciale të Emirateve të Bashuara Arabe”.

Zeqiri para dy vitesh është martuar me zonjën Nora Hyseni dhe janë prindër edhe të vajzës Nina. Ai është edhe magjistër i edukimit fizik dhe i sportit. Ndryshe, Arben Zeqiri për afro 20 vite karrierë (1993-2013) ka qenë futbollist aktiv, duke luajtur për 13.5 vite me Gjilanin dhe një 1.5 vite me Dritën.

Nga Reshat IBRAHIMI

Lajme të tjera

Lajmet e fundit