Ish-kapiteni i Tiranës “bombardon” deputetin e PS: Hajdut, guxo dhe preki pensionet!

29 Prill 2020
10:17
Alfred Lleshi
back button

Politikanët duket se janë edhe më shumë të urryer në këtë kohë pandemie. Sidomos në Shqipëri, ky soj shihet si përgjegjës për gjendjen e vendit, varfërinë dhe korrupsionin e lartë. Kriza e koronavirusit po e thellon varfërinë në vendin tonë, ndërkohë që së fundi, nga mazhoranca e majtë ka ardhur një propozim shokues, që kërkon që “pasojat t’i ndajmë bashkë”.

Më konkretisht, ish-ministri i shëndetësisë, deputet i PS, Ilir Beqja, ka propozuar që të ulen pagat e punonjësve të administratës dhe pensionet, për të përballuar krizën financiare. Kjo deklaratë e tij ka shkaktuar reaksion të madh në popull. Njëri ndër ata që ka reaguar publikisht është edhe ish-kapiteni i Tiranës, Elvis Sina, i cili nuk e “kafshon gjuhën” aspak ndaj Beqjas:

“Ilir Beqaj ka propozuar para dy ditesh uljen e pensioneve si një nga masat për të përballuar krizën ekonomike që po vjen si pasojë e izolimit të ekonomisë.

Dy fjalë për të:
Ku e gjen ti guximin të kërkosh sakrificën e pensionistëve?
Arsyeja përse u izoluam në karantinë ishte sepse sistemi ynë shëndetësor nuk e përballonte dot fluksin e të sëmurëve.
Nuk e përballonte dot sepse ti lekët e spitaleve të reja, pajisjeve shëndetësore, ilaçeve e rritjes së pagave të mjekëve dhe infermierëve i bëre kontrata konçesionare për miqtë e tu dhe shefit tënd.

Ti firmose 410 milionë USD konçesione:
Konçesioni i check-up – 90 milionë USD
Sterilizimi – 160 milionë USD
Dializa – 70 milion USD
Shërbimi laboratorik – 90 milion USD
Me këto lekë do kishim ngritur 10 spitale të reja, zgjidhur problemin e ilaçeve, dyfishuar pagat e mjekëve si edhe do dyfishonim edhe pensionet. Nuk i bëmë se ti i vodhe.

Me këto lekë ndoshta nuk do kishim fare nevojë të izoloheshim sepse sistemi do ishte i shëndetshëm. Ti dhe të ngjashmit e tu që e kanë rrënuar buxhetin e shtetit, sot duhet të ishit në burg ose në shtëpi duke pritur vendimin e gjykatës. Fakti që ky vend ende nuk ka një sistem drejtësie, nuk do të thotë që nuk ka as memorie.

Guxo ti apo shefi yt të prekni lekët e pensionistëve dhe do ju vijmë në shtëpi. Të vetmit që duhet të paguajnë sot jeni ju, klasa politike dhe klientët tuaj. Ju që e keni rrjepur për 30 vite këtë vend të bekuar me pasuri natyrore. Dhe do paguani!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit