Ish-ndihmësi i Guardiolës këshillon Barçën për rolin e Messit në fushë

29 Maj 2020
12:23
Alfred Lleshi
back button

Brenda disa viteve, Lionel Messi mund të bëjë rolin e Xavi, që ky i fundit e kryente dikur te Barcelona. Kështu mendon ish-ndihmësi i Pep Guardiolës, Domenec Torrent. Xavi shijoi një karrierë yjore 17-vjeçare në “Camp Nou”, gjatë së cilës fitoi 25 trofe, përfshirë 8 tituj të La Liga-s dhe 4 Liga Kampionesh. Fituesi i Kupës së Botës u vlerësua gjerësisht si mesfushori më i mirë në Europë në kulmin e karrierës së tij. Xavi e arriti kulmin e tij gjatë mbretërimit historik të Guardiolës, midis viteve 2008 dhe 2012.

Gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” përfitoi shumë nga shërbimet e Xavi gjatë një periudhe të artë për Blaugrana-t dhe që atëherë ka vijuar të bëhet kryegolashënuesi i të gjitha kohërave për katalanasit. Messi nuk ka treguar shenja ngadalësimi të formës sportive, edhe pse po i afrohet fundit të karrierës. Torrent mendon se ylli argjentinas mund të përshtatet në një pozicion të ri, kur atributet e tij fizike të fillojnë të zvogëlohen:

“Leo është një lojtar shumë inteligjent. Shpesh, ai luan thellë (kthehet deri në mesfushë) për të marrë topin. Pas disa viteve, Messi mund të luajë si Xavi. Ai nuk e humb topin, jep asiste, është kujdesur shumë për trupin gjatë gjithë karrierës së tij. Nëse luan në një pozicion më të thellë, kur logjikisht fillon të humbasë ritmin, ai mund të bëjë mesfushorin-qendror ose kudo që dëshiron dhe do të bënte mirë”.

Torrent vazhdoi ta përshkruajë Messin si një talent, që rrallë vjen në këtë jetë, duke këmbëngulur se, edhe pse 32 vjeç, ai ende qëndron në majë, mbi moshatarët e tij: “Për mua, Leo është i pakrahasueshëm. Nuk mendoj se do të shoh dikë tjetër si ai përsëri në jetën time. Për më tepër, ai ka qenë në një nivel të lartë për 15 vite. Edhe ndonjë ditë, kur nuk shfaqet aq i mprehtë, ai mbetet akoma më i miri. Një ndeshje e dobët për Leo do të thotë së paku dy asiste dhe disa lëvizje, që prodhojnë gola nga të tjerët. Unë kam parë futbollistë shumë të mëdhenj, por askush nuk ka qëndruar në elitë për 15 vite, ashtu siç ka bërë Messi”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit