Ish-ylli portugez: Joao Felix mund ta fitojë “Topin e Artë”

23 Maj 2020
13:56
Alfred Lleshi
back button

Ylli i Atletico Madrid, Joao Felix, e ka potencialin për ta fituar “Topin e Artë”. Kështu mendon bashkatdhetari i tij, Simao, ish-lojtar i disa skuadrave, mes tyre i Barcelonës, Benfica, Atletico Madrid, Sporting CP, Besiktas etj. 20-vjeçari iu bashkua ekipit spanjoll nga Benfica verën e kaluar dhe ka luajtur 28 ndeshje këtë sezon. Gjithsesi, portugezi ka luftuar për të përsëritur formën prej goleadori, ​​që tërhoqi vëmendjen e ekipeve më të mira të Europës, kur ishte me gjigantët e Lisbonës, atje ku shënoi 20 gola në vetëm 43 ndeshje.

Felix ka realizuar vetëm 4 gola në La Liga dhe 2 gola të tjerë në Champions për skuadrën e Diego Simeone, ndërsa ka luftuar me lëndimet në këtë sezon. Përkundër këtyre çështjeve, ish-lojtari i Atletico Madridit, Simao, është i bindur se ai do të ketë sukses në kryeqytetin spanjoll dhe do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë. “Unë mendoj se Felix mund ta fitojë “Topin e Artë”. Mos e gjykoni për momentin në Madrid, sepse është në një fazë përshtatjeje. Kjo nuk është e lehtë, – tha Simao për BTV. – Mënyra e lojës së Atletico Madridit është e ndryshme nga ajo e Benfica dhe muajt e parë nuk ishin të lehtë. E di që e shqetëson fakti që zëvendësohet, por duhet të mendojë për ekipin. Ju duhet të jeni shumë i mirë për të sulmuar në ekipin e Simeone.”

Simao thotë se e di se si ndihet djaloshi i ri portugez, duke luajtur me lojtarë të profilit të lartë. Këtë e shpjegon me eksperiencën personale, kur u bashkua me Barcelonën nga Sporting më 1999: “Pep Guardiola, Figo, Patrick Kluivert, Ronald de Boer…, nëse e shohim këtë ekip, pothuajse të gjithë janë bërë trajnerë. Po flas për shokët e mi të ekipit në “Camp Nou”. Të luaja me Figo, idhulli im i madh, ishte fantastike. Por, kjo ishte vështirësia më e madhe për mua. Duke parë ato emra elitarë, mendova: Ku jam duke shkuar për të luajtur?

Në njërën anë ishte Figo, nga ana tjetër Rivaldo. Unë duhej të prisja që ato të pezulloheshin, ose të lodheshin për të luajtur te Barcelona. Kalova shumë kohë me Rivaldon dhe bisedova me Guardiolën. Ai tashmë e kishte një sens taktik, më tregoi si duhet të lëvizja pa top. Në aeroplan ulesha mes Figos dhe Guardiolës. Ata lexonin libra mbi futbollin dhe golfin. Falë tyre, edhe unë kam lexuar shumë. Asokohe isha 19 vjeç. Mbaroja stërvitjen rraskapitëse me ekipin dhe Rivaldo më kërkonte të vazhdoja me të, sepse trajnohej më shumë. Nuk mund t’i thoja jo”.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit