Ish-kampioni: Po mbani në burg dy djem, për një shpullë ndaj Ernest Gjokës!

4 Prill 2019
13:24
Alfred Lleshi
back button

Asmer Bilali është rikthyer në Shkodër, kësaj radhe për të qenë dëshmitar në gjyq. Një javë pasi i vranë babanë dhe xhaxhain, ish-kampioni i boksit ka dëshmuar sot mbi një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar dhe që lidhet me futbollin e kryeqendrës së veriut. Më konkretisht, me goditjen e ish-trajnerit të Vllaznisë, Ernest Gjoka, nga dy djem të rinj. 

Bilali ka qenë i shoqëruar nga forca të shumta policore, ndërsa para gjykatësit, në rolin e dëshmitarit, ka thënë se është e turpshme që mbahen në burg dy djem të rinj, për një shuplakë. Aq më tepër që i dëmtuari, Ernest Gjoka, i ka falur. Megjithatë, prokurori i çështjes mendon ndryshe, ai ka kërkuar burg për Nehat Fojletën dhe Sehar Xhenje. 

I pari është autori, ndërsa i dyti akuzohet si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Organi i akuzës pretendon se Nehat Fojleta e ka goditur dhe ka tentuar ta vrasë me thikë ish-trajnerin e Vllaznisë. Asmer Bilali është pyetur për makinën që i ka dhënë Sehar Xhenje, mjet me të cilin ky i fundit ka shoqëruar Fojletën drejt fushës sportive, ku ka ndodhur incidenti. Ai pretendon se shoku i tij ia ka kërkuar makinën për të kryer disa nevoja familjare. 

Xhenje e ka mohuar në gjyq përfshirjen në ngjarje, duke ngulmuar se nuk e dinte se çfarë do të bënte Fojleta. Ky i fundit ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe t’i ndryshohet akuza nga “vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë", në “goditje për shkak të detyrës”. Ish-trajneri kuqeblu ka deklaruar në seancën paraprake: “I kam falur dy djemtë, për mua le të dalin nga burgu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit